Në vitin 2011, Enver Zymberi u vra në përpjekje për ta konfirmuar kufirin në veri të vendit. Atëherë Hashim Thaçi nuk thoshte se ajo pjesë e Kosovës ishte dhuratë e Rankoviqit, por fliste për sovranitet e integritet. Tash, presidenti pa integritet, po konteston kufirin e shtetit që e udhëheq – kufirin për të cilin u flijua Zymberi. Duke kontestuar kufijtë, Thaçi po konteston vetë qenien e shtetit të Kosovës – vetë qenien tonë
Hashim Thaçi nuk po tërhiqet nga ideja e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë, pavarësisht rezistencës së partive politike dhe të shoqërisë në përgjithësi. Presidenti e ka ndarë mendjen që ta ndajë vendin, edhe pse shumica e qytetarëve nuk e përkrahin në këtë aventurë.
Sipas një ankete të rëalizuar nga Instituti “Ridea”, mbi 75 për qind e qytetarëve janë kundër kësaj ideje. Madje, shqiptarët nuk duan korrigjim edhe nëse si këmbim Kosova fiton njohje globale dhe hapje të rrugës për anëtarësim në OKB. Por, pavarësisht kësaj, Thaçi vazhdon me të veten, madje edhe duke paralajmëruar se nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë marrëveshje finale këtë vit, mund të destabilizohet rajoni. Po ashtu, ai ka thënë se kufiri me Serbinë duhet
definitivisht të definohet para përmbylljes së marrëveshjes. “Nuk ka njohje reciproke pa definimin e vijave kufitare”, ka theksuar presidenti, duke përmendur edhe definimin e kufirit me Malin e Zi.
Por, ndryshe nga çfarë deklaron ai, demarkacioni me Malin e Zi është bërë pasi ky shtet e ka njohur Kosovën, gjë që nuk ka ndodhur ende me Serbinë. Duke promovuar idenë e tij, Thaçi po çon mesazh se nuk dihet kufiri i Kosovës. Këtë po e bën njeriu, i cili rrah gjoks se e shpalli Kosovën shtet në kufijtë ekzistues. Me dashje, Thaçi në diskursin publik po e përzien çështjen e përcaktimit të kufirit me Serbinë, me çështjen e demarkacionit të kufirit ekzistues. Në thelb, Thaçi po flet për mundësinë e këmbimit të territoreve, po flet për ndarjen e Kosovës. Dhe, përderisa më herët thoshte se ideja ishte origjinale e tij, këto ditë tha se idenë e kishte marrë nga Ibrahim Rugova, Nexhat Daci e Lutfi Haziri. Këtë deklaratë e bëri pasi që Ivica Daçiq e Aleksandër Vuçiq thanë se kjo ishte ide e vjetër e tyre.
* * *
Nëse nuk e di Thaçi se ku është kufiri i Kosovës, atëherë ky është problem i tij, por kufiri dihet. Marrëveshja e Kumanovës, që solli përfundimin e luftës në Kosovë, njohu kufijtë ekzitues. Më 17 shkurt 2008, pavarësia e vendit u shpall brenda po këtyre kufijve. Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin për të drejtën e shpalljes së pavarësisë brenda këtyre kufijve. Por, këta kufij sot i konteston Hashim Thaçi.
Presidenti po na thotë se Kosovës, shtetit që ai udhëheq, nuk i dihen kufijtë, ndërkohë që brenda këtyre kufijve vendi i pavarur është njohur nga më shumë se njëqind shtete në botë.
Presidenti po na thotë se Kosovës nuk i dihen kufijtë, ndërkohë që tash një dekadë na flet për sovranitet e integritet territorial të Kosovës brenda po këtyre kufijve.
Ishte vetë Thaçi ai i cili në korrik të vitit 2011 ishte vënë në krye të një aksioni për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit. Në atë aksion ishte vrarë Enver Zymberi, i cili më pas u shpall Hero i Kosovës. Hero i Kosovës brenda kufijve që ai i mbrojti, por që tash Hashim Thaçi po i konteston.
Për një dekadë Thaçi s’ka reshtur së thëni se sovraniteti ishte shtrirë në tërë vendin, se integriteti territorial ishte i pakontestueshëm dhe nuk do të cenohej asnjëherë. Tash, vetë Thaçi po do ta cenojë integritetin territorial të Kosovës, duke çuar përpara ide të rrezikshme që ndajnë vendin.
* * *
Pse është dashur gjithë këto vite të dialogohet me Serbinë, nëse Thaçi mund ta ketë ditur se zgjidhje do të jetë veç ndryshimi i kufijve? Pse është dashur të investohet në veri të vendit, kur ai mund ta ketë ditur se gjithçka ishte e kotë? Pse njerëzit janë mashtruar vite me radhë se sovraniteti është shtrirë në tërë vendin dhe integriteti territorial është i pacenueshëm?
Me idenë e tij të rrezikshme, Hashim Thaçi po e sulmon shtetin e Kosovës. Me idenë e tij, ai po cenon integritetin territorial të vendit që udhëheq. Në këtë mënyrë, ai po i fton qytetarët që të harrojnë gjithë çfarë ka ndodhur deri tash, gjithë çfarë ai ka thënë deri tash.
Nëse është kështu siç thotë Thaçi, atëherë le ta zhbëjë edhe aktin e pavarësisë, ngase po del të jetë shpallur brenda kufijve të gabueshëm. Nëse është kështu siç thotë Thaçi, atëherë le t’ua kthejë njohjet të gjitha shteteve që na konsiderojnë të barabartë.
Duke kontestuar kufijtë, ai iu jep argumente të bollshme të gjithë atyre që mendojnë se Kosova nuk është dashur të shpallet shtet, se ajo ende është pjesë e Serbisë, se statusi i saj ende nuk është zgjidhur. Duke kontestuar kufijtë, Thaçi konteston vetë qenien e shtetit të Kosovës – vetë qenien tonë.