Listat me mandatet e deputetëve të PD u dorëzuan nga Lulzim Basha, ndërsa nga LSI i dorëzoi kryetarja Monika Kryemadhi.
Por, nga PD nuk e kanë dorëzuar ende mandatin dy deputetë, Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi. Ndërsa nga LSI, deputeti Lefter Koka ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga mandati.
Opozita protestoi fillimisht përpara Parlamentit, ku mbajtën fjalime të shkurtra deputetë të ndryshëm, dhe në fund mori fjalën kryedemokrati Lulzim Basha. Më pas, opozita dhe protestuesit u drejtuan për tek Kryesia e Kuvendit ku bënë dorëzimin e mandateve të deputetëve. Pas kësaj protestuesit marshuan drejt selisë së Partisë Demokratike, ku dhe u përmbyll protesta. Asnjë incident apo akt dhune nuk u shënua gjatë tubimit.