Gjithë kjo do të bëhet në kuadër të kampanjës “Drejtësia 2020”, që ka si prioritet zgjidhjen e këtyre lëndëve. Sipas Tahiri, zbatimi i kësaj agjende do të ndryshoj përvojën e qytetarëve me sistemin e drejtësisë.
“Viti 2019 do të jetë vit i zbatimit të agjendës “Drejtësia 2020” si një ndërmarrësi e përbashkët e Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. “Drejtësia 2020” është një plan i mbi 100 masave konkrete që ka për qëllim të ndryshojë përvojën e qytetarëve me sistemin e drejtësisë, duke u fokusuar në efikasitet dhe shërbime të mirëfillta. Masa e parë e “Drejtësia 2020” është reduktimi dhe zgjidhja e lëndëve të vjetra. Rreth 200 mijë lëndë të vjetra vazhdojnë ta ngarkojnë sistemin tonë gjyqësor dhe kjo pengon qytetarët tanë për të pasur një qasje të shpejtë në drejtësi. Qytetari i Republikës nuk mund të vazhdojë të presë edhe më tej me vite për zgjidhjen e lëndëve për shkak të këtyre ngarkesave” ka shkruar ministri Tahiri.
Mënyra sesi do të zgjidhen këto lëndë është edhe përmes përfshirjes së profesioneve të lira ligjore, ku përfshihen ndërmjetësuesit, noterët e përmbaruesit privat.
“Për këtë qëllim, institucionet tona në kuadër të “Drejtësia 2020” janë duke punuar në klasifikimin, rishpërndarjen dhe përfshirjen e profesioneve të lira ligjore në zgjidhjen e këtyre lëndëve në mënyrë që ky numër i madh i backlogut të zgjidhet sa më parë. Jemi të përkushtuar që brenda dy viteve të ardhshme të zgjidhen të gjitha lëndët e vjetra që rëndojnë sistemin, dhe që sistemi ynë të fokusohet në gjykimin në kohë të arsyeshme, ku qytetari nuk do të ketë nevojë të presë me vite për realizimin e të drejtave të tij përmes gjykatës” ka përfunduar Tahiri statusin e tij.