Në një intervistë për televizionin publik, RTK, Veseli ka deklaruar se sovraniteti i shtetit dhe integriteti mbrohen më së miri me partnerë si SHBA-ja. Ai tha se këtë e ka dëshmuar e kaluara, e dëshmon edhe e sotmja.
“Ajo çfarë duhet të bëjmë sa më shpejt është që të mos i marrim gjërat personalisht. Nuk na takon askujt ta mbrojmë të vetëm Kosovën, por as të flasim në emër të Kosovës. Ky princip duhet të përfundojë njëherë e mirë. Të flasim në mënyrë institucionale, me vendimmarrje institucionale. Nuk kam asnjë lloj dyshimi, as më të voglin, as shqetësimin, se nuk e kanë përkushtimin të gjithë bartësit e institucioneve dhe delegacioni shtetëror, për mbrojtjen e shtetit tonë. Por hajde të dimë si ta mbrojmë”, ka deklaruar mes tjerash kreu i Kuvendit të Kosovës.
Pyetja: Kryetar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ju kanë dërguar një letër juve, presidentit të Kosovës dhe kryeministrit dhe shprehen mjaft të shqetësuar me përgjigjet që po marrin nga institucionet e Kosovës sa i përket pezullimit të taksës.
Veseli: Është e vërtetë. Së pari nuk ka pasur fare nevojë të vijë te kjo situatë dhe deri te kjo letër. Duhet t’i kuptojmë dhe t’i marrim më seriozisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ka qenë edhe arsyeja që kohë më parë kam bërë edhe një propozim, i cili ka pasur për qëllim të ruaj dinjitetin e vendimmarrjes së shtetit tonë, për arsye se Serbia meriton jo vetëm taksën 100 për qind, por e meriton edhe masën e reciprocitetit, për shkak të sjelljes së saj jokorrekte për dy dekada, ndaj mallrave, qytetarëve dhe ndaj institucioneve tona si Republikë e Kosovës. Por në të njëjtën kohë, do ta ruante edhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin dhe do ta mbante më të fuqishëm shtetin tonë, për vet faktin se sovraniteti i shtetit dhe integriteti mbrohen më së miri me partnerë si SHBA-ja. Këtë e ka dëshmuar e kaluara, e dëshmon edhe e sotmja.
Nuk ka pasur nevojë fare ta kemi këtë letër dhe ne nuk guxojmë as të lejojmë që pas gati dy dekadash lirie, diçka që është vendimmarrje legjitime, që është interes shtetëror, të na dalë si pengesë ose si konfrontim me partnerët, pastaj të jetë si një lloj anësie e përbashkët dhe në dukje është, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Republikën e Serbisë. Duhet të jemi pragmatikë dhe duhet t’i marrim më seriozisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për arsye se me të kemi ardhur denjësisht dhe me krenari deri më sot dhe do të vazhdojmë edhe më tutje bashkarisht.
Pyetja: Mirëpo ajo tanimë ka ndodhur, letra ka ardhur dhe janë shprehur shqetësimet e tyre. Mirëpo ju edhe para letrës, edhe dje keni zhvilluar një takim, mbrëmë është thënë joformal. Çfarë po del nga këto takime, sa jeni afër një marrëveshjeje ju si partnerë të koalicionit? Keni qëndrime të ndryshme: ju jeni për pezullimin e taksës, ndërsa partneri juaj, kryeministri Haradinaj është këmbëngulës se nuk do ta pezullojë taksën.
Veseli: T’u ikim këtyre populizmave dhe disa gjërave të cilat vetëm se janë duke na dëmtuar edhe më shumë, duke u munduar të bëjmë gara mes nesh. S’ka garë mes nesh. Ne duhet të kemi mençuri se si ta tejkalojmë një situatë të vet-kurthit, që të mos përfitojë Serbia. Ne nuk mund ta lëmë Serbinë të përfitojë. Kjo është ajo e cila jam duke u përpjekur ta bëjë qe një kohë, duke paguar edhe çmim politik për këtë, vetëm që ta kalojmë këtë sfidë, e cila është edhe një lloj vet-kurthi në të cilin mund të futemi. Ne duhet ta ruajmë partneritetin me SHBA-në dhe Perëndimin. Asnjë partner perëndimor aktualisht nuk e kemi në anën tonë në këtë çështje. Por njëkohësisht ne duhet ta ruajmë edhe dinjitetin e vendimmarrjes së shtetit tonë, për arsye se nuk do të gjunjëzohemi para Serbisë. Kjo është arsye se pse kam propozuar një pezullim të përkohshëm, i cili menjëherë do të kalonte në një masë reciprociteti, për të cilin kam marrë edhe premtimin e bashkësisë ndërkombëtare, edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo çfarë duhet të bëjmë sa më shpejt është që të mos i marrim gjërat personalisht. Nuk na takon askujt ta mbrojmë të vetëm Kosovën, por as të flasim në emër të Kosovës. Ky princip duhet të përfundojë njëherë e mirë. Të flasim në mënyrë institucionale, me vendimmarrje institucionale. Nuk kam asnjë lloj dyshimi, as më të voglin, as shqetësimin, se nuk e kanë përkushtimin të gjithë bartësit e institucioneve dhe delegacioni shtetëror, për mbrojtjen e shtetit tonë. Por hajde të dimë si ta mbrojmë. Ta largojmë në rend të parë një konflikt, qoftë edhe shumë të vogël, me partnerë si SHBA dhe Bashkimi Evropian dhe në asnjë mënyrë të mos lejojmë që ata të dalin me Serbinë në të njëjtin qëndrim, kjo është gabim.