1.7 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

“Freedom” me pikturat e artistit shqiptar që kërkoi lirinë në SHBA

Më shumë se tri dekada të krijimtarisë së tij artisti shqiptar, Ali Miruku, ishte i detyruar që të pikturonte sipas diktatit të politikës.

Ishte njëri prej 10 artistëve që u trajnua dhe punoi nën drejtimin strikt të qeverisë komuniste shqiptare. Puna e tij ishte që të dokumentonte jetën e punëtorëve, të krijonte imazhe monumentale për të kaluarën e Shqipërisë. I diplomuar në Akademinë e Arteve në Shqipëri, në vitin 1979, ai pritej të krijonte “realizëm socialist”, ka thënë vajza e tij Arjola Miruku, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e portalit jacksonville.com.
“Gjithçka shkonte përmes shtetit”, ka thënë ajo, . “Gjithçka shkonte përmes procesit të shfaqjes”. Rezultatet shpeshherë ishin mbresëlënëse: imazhe që të lënë pa frymë, të punëtorëve në një hidrocentral. Përshkrime të gjalla të luftëtarëve shqiptarë në betejat me Perandorinë Osmane. Gjashtë piktura të tij gjenden në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Njëra ishte e zgjedhur për pullë postare. Por ai ende irritohej nga kërkesat dhe pozitat në të cilat burokratët e kishin vendosur.
Gjërat ndryshuan në vitin 1989 me rënien e qeverisë komuniste në Shqipëri. Ai u shpërngul në Zvicër, e më pas në ShBA. Kaloi nëntë muaj në Ponte Vedra Beach të qytetit Jacksonville të Floridas, në vitin 1993, dhe më pas në vitin 1997 u rikthye për të qëndruar aty tërë kohën. Ndërkohë arti i tij u bë më “modern dhe ekspresionist”. Shumica e këtyre pikturave moderniste stolisin muret e shtëpisë që ai ndau me gruan e tij, Suzanën, para se të vdiste në moshën 59-vjeçare në shkurt të vitit 2014. Shumica prej tyre shumë shpejt do të ekspozohen në Qendrën Kulturore në Ponte Vedra Beach, në ekspozitën që titullohet “Freedom”.
Në mënyrë ironike, liria artistike të cilën Miruku e shijoi para se të shpërngulej në ShBA u bë më e limituar nga zgjedhja e tij që të jetojë në Ponte Vedra Beach. Shumëkush e kishte këshilluar që të shpërngulej në New York, ku veprat e tij do të vlerësoheshim më shumë. Por Miruku dëshironte që fëmijët e tij – Arjola dhe vëllai i saj, Erjon – të regjistroheshin në shkolla të mira. Prandaj edhe kishte vendosur që të qëndronte në Ponte Vedra Beach. Por sipas Arjolës, njerëzit në këtë vend nuk ishin të interesuar në pikturat abstrakte të artistit shqiptar. Kështu që peizazhet dhe portretet i riktheu në stilin e vjetër, duke i bërë me realiste, në disa raste dhe gati reale.
“Unë pikturoj atë që paraja e do”, ka thënë vajza e tij. Ditët e para të artistit shqiptar në ShBA ishin të vështira. Por pronari i një restoranti e hetoi talentin artistik të Mirukut dhe e kishte punësuar që të bënte një mural të brendshëm për lokalin e tij. Pasi që e kishte parë se çfarë ishte në gjendje të bënte Miruku, pronari i kishte thënë se nuk mund ta punësojë si enëlarës dhe e punësoi që të bënte më shumë murale në restorant.
Në vitin 1996 ai nisi të punonte për “Creative Encirons”, kompani e specializuar për artin skenik, murale, skulptura dhe punime tredimensionale. Puna e tij për kompaninë ishte murali për “Adventure Landing” në Beach Boulevard. Prej vitit 2005 deri më 2009 ai punoi si artist dhe skulptor për “Sally Corp”. Më pas ai vazhdoi të realizonte vepra me porosi për klientët e tij dhe të tjera personale për dëshirën e tij.
Ai erdhi prej një rruge të gjatë, nga një djalosh 8-vjeçar e luti babanë e tij që t’i blinte një kuti me ngjyra, dhe përgjigjja që mori ishte se me ato para për ngjyra do të mund të ushqente familjen për një ditë e gjysmë. Por babai i penduar më pas ia kishte blerë ngjyrat dhe i dha jetë si artist, një jetë që tani po festohet.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img