Kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se duhet të luftohen monopolet, pasi që firmat e caktuara e kanë monopolizuar tregun dhe se përfitues të tenderëve, vazhdojnë të jenë një numër i vogël i kompanive, gjë që flet për praktika të këqija.
“Ne duhet të kemi kujdes dhe lidhur me shpërndarjen e investimeve. Sepse kam përshtypjen që firmat e caktuara e kanë monopolizuar tregun, po marrin shumë tenderë, një numër shumë i vogël i firmave, ndërkohë tjerat nuk po marrin. Këto janë duke respektuar tërësisht ligjin, procedurat e prokurimit dhe shërbimet që i kryejnë këto punë. Por unë nuk mund t’i arsyetoj që të ngushtojmë aq shumë numrin e përfituesve të tenderëve, sepse pastaj kjo mund të flet dhe për praktika të këqija…Mendoj që duhet që të gjitha ministritë të kenë kujdes, sa më shumë operator privat t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë dhe t’i japin shanset në kushte të barabarta të përfitojnë prej tenderëve, por duke respektuar gjithmonë ligjin”, tha ai.
Mustafa duke folur për çështjen e pensioneve për veteranët, tha se Qeveria është kushtëzuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që të zgjidhet ky problem. Ndërsa tha se në pajtueshmëri me FMN-në, kanë marrë vendim që vitin e ardhshëm të gjitha të dhënat sociale për këtë kategori, të mos i kapërcejnë 50 milionë euro, duke përshirë pensionet për veteranë invalid dhe nevojat tjera. Ai theksoi se duhet të zgjidhen këto çështje, me qëllim që Kosova të mbes në programin e FMN-së, sepse ndryshe rrezikohen shumë marrëveshje. Ndërsa tha dhe fitimi mbi bazat e jo meritave, cilësohet si korrupsion.
“Janë çështje të interesit të vendit dhe luftës kundër korrupsionit. Sepse është cilësuar se një formë e korrupsionit, është dhe përfitimi i mjeteve buxhetore, mbi bazën e jo meritave. Dhe në këtë aspekt ne duhet të krijojmë kushte të fitojnë të gjithë ata që kanë merita. Por assesi që të shfrytëzohen situatat të ndryshme për përfitime që kapërcejnë meritat dhe pastaj bëhen veprime jo ligjore”, tha kryeministri.
E ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili njoftoi kabinetin qeveritar për trendin e të hyrave buxhetore, për periudhën janar- gusht tha se përgjatë kësaj periudhe, po vazhdon trendi shumë i mirë i inkasimit të të hyrave. Ndërsa tha se janë rritur shpenzimet për 5.7 për qind.
“Tek shpenzimet gjatë kësaj periudhe kemi shpenzuar 967.8 milion euro, që është 5.7 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Të gjitha shpenzimet po shkojnë sipas planifikimit me një rritje me të ngadalshme të mallrave dhe shërbimeve për shkak të vendimeve që kemi marrë me herët”, tha Hoti.