-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Konflikti në biznes dhe mënyrat për parandalimin e tij

(Pjesa e parë)

Dr. Sc. Refik Havolli

Arbër Havolli – Student i masterit

Abstrakti

     Konflikti në biznes është një fenomen i dëmshëm kurdoherë dhe në çfarëdo forme që manifestohet. Konflikti është si një kancer i cili, po nuk u parandalua me kohë dhe në mënyrën e duhur, lë pasoja të mëdha për biznesin dhe personat e përfshirë në konflikt. Konflikt mund ta jetë burim i frikës, zemërimit, dëshpërimit, dhunës etj. dhe ndodh nga mosmarrëveshjet ndërmjet palëve të përfshira. Konflikti negativ do ishte më e mira të parandalohej me masat dhe rregullat e krijuara paraprakisht.

     Konfliktet mund të ndodhin në vende të ndryshme të biznesit ndërmjet individëve apo grupacioneve të ndryshme. Njerëzit kanë personalitete të ndryshme dhe në rastet kur mendojnë se po ju cenohet një e drejtë, në interes, apo një pushtet,  ata mund të tolerojnë, të anashkalojnë, të bëjnë kompromis, të bashkëpunojnë apo edhe të mbrojnë kauzën e tyre me forcë, gjë që shpie në konflikti. Konflikti mund të shkaktohet nga konkurrenca për burimet e pamjaftueshme, nga ndeshja e interesave, apo nga frustrimi.

 Konfliktet në punë midis kolegëve, menaxherëve, por edhe ndërmjet ortakëve ndodhin në shumicën e rasteve sepse nuk i kanë të mirëpërcaktuara detyrimet dhe të drejtat që ata kanë.

     Është detyrë dhe obligim i personave vendimmarrës që të hartojnë rregulla, parime specifike, të qarta, të pranuara nga palët, në mënyrë që aktiviteti i biznesit të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

     Disa persona janë më emocione negative, kanë personalitet gjenetik konfliktuoz, mbikëqyrja e tyre kërkon angazhim shtesë sepse mund të kontaminojnë edhe rrethin ku ata punojnë.

     Është e pamundur dhe as që duhet të mendohet që emocionet të eliminohen sepse janë pjesë e jetës njerëzore. Emocionet negative kanë potencial  të krijojnë sjellje irracionale dhe si pasojë, negocimi të marrë drejtimin e padëshiruar, të prishen marrëdhëniet ndërmjet palëve e ndoshta edhe të sjellë një konflikt të ri. Si emocione të këtij lloj mund të konsiderohen emocionet e frikës, zemërimit, turpit etj.[1]

Hyrje

     Biznesi është një aktivitet ekonomik ku përfshin shërbimet, prodhimin e mallrave, tregtimin e produkteve apo të shërbimeve me qëllim që të arrijë fitim. Nga aktiviteti ekonomik i bizneseve përfitojnë, pronarët e bizneseve, punëtorët, furnitorët, konsumatorët, shteti nga vjelja e taksave dhe e tatimeve, huadhënësit (bankat) etj., por në këtë zinxhir mund të ketë edhe shfaqje të konfliktit.

     Në biznes personat përgjegjës vendimmarrës janë të detyruar të marrin vendime të caktuara për të mirën e funksionimit të biznesit. Në shumë raste vendimet që ata marrin për të realizuar objektivat e përcaktuara mund t’i prekin interesat e individëve të caktuar brenda biznesit apo jashtë tij, e nganjëherë ato vendime mund të prekin apo të krijojnë pakënaqësi te grupe të caktuara brenda biznesit apo organizatës. Mosmarrëveshjet, pakënaqësitë që mund të sjellin te konflikti, është gati e pamundur të eliminohen në tërësi, por është me rëndësi të krijohen rregulla dhe mekanizma për parandalimin e tyre dhe në rastet kur konflikti ndodh, ai duhet të gjejë zgjidhje në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pikësynim duhet të jetë që rastet e tilla të mos përsëriten. Rregullat dhe kriteret duhet të jenë etike, të drejta, praktike dhe të qarta për t’u kuptuar.

    Konflikti është një mosmarrëveshje e thellë, kundërshtim i interesave, situatë ku qëndrimet e palëve janë të kundërta, të tensionuara, ka acarim të marrëdhënieve, mungesë  tolerance, mungesë komunikimi, dallime të vlerave, qëllimeve, që mund të fillojë me mosmarrëveshje verbale dhe pastaj të devijojë në një ushtrim  force.

     Me termin konflikt, u referohemi dallimeve të perceptuara të cilat sjellin si rezultat disa forma ndërhyrjeje ose kundërshtimi[2].

     Konflikti është një dukuri që shpie në dhunë të organizuar të shkaktuar nga përfshirja e palëve, që kanë pozicione të papërputhshme për çështje të ndryshme, kanë qëndrim armiqësor dhe forma të caktuara veprimi diplomatik dhe ushtarak[3].

     Ekzistenca e konfliktit si një dukuri jetësore është e lashtë sa dhe historia e njerëzimit.

     Konflikti në biznes mund të ndodhë për një mori arsyesh, njësoj si në fushat e tjera të jetës. Konfliktet mund të kenë si shkak aspektin material, territorial, aspektin moral-etik, për shkak të dallimeve gjuhësore, kombëtare, fetare, gjinore, sociale, gjeneratave, racore, politike, ideologjike, kulturore apo aspekte të tjera. Në rastet kur mungon komunikimi profesional dhe i sinqertë ndërmjet individëve apo grupeve të caktuara brenda biznesit, mund të shkaktohen mosmarrëveshjet apo konflikti.

     Konflikti ndërmjet palëve mund të jetë konflikt verbal ose konflikt fizik. Konflikti te palët e përfshira shkakton stres, i cili ka ndikim negativ në shëndetin mendor dhe atë fizik.

     Konfliktet klasifikohen edhe në dy forma të tjera, bazuar në funksionalitetin e tyre: konflikte funksionale (pozitive) dhe konflikte jofunksionale (negative).

     Konflikti dëmton apo ul dinjitetin dhe respektin, dëmton marrëdhëniet, shpenzon kohë të panevojshme, ul efektivitetin dhe produktivitetin, shkakton stres, dëme financiare dhe pasiguri.

     Çdo konflikt duhet të jetë mësim dhe të ushqehet apo të mos ushqehet në mënyrë që të ndodhë apo të mos ndodhë përsëri.

Nivelet dhe llojet e konfliktit në biznes mund të jenë:

  • Individuale (konflikt ndërpersonal) ku konflikti ndodh ndërmjet individëve,
  • Grupor (konflikti brenda grupit-grupeve), kur konflikti ndodh brenda dhe ndërmjet grupeve.
  • Biznesi, kur konflikti ndodh brenda dhe mes biznesit, dhe përfshinë tërë biznesin në dimensionin vertikal ndërmjet drejtueseve dhe vartësve, dhe konflikt horizontal, që ndodh ndërmjet departamenteve dhe grupeve punuese të biznesit.

Konfliktet kanë disa nivele të paraqitjes, si: mospajtim, gjykim (akuzim), kërcënim, sanksionim, sulm fizik.

     Shumë mosmarrëveshje dhe konflikte mund të zgjidhen me shpërblim e disa me ndëshkim.

     Puna në biznes ka ngjashmëri me lojërat sportive ekipore, kur lojtarët bashkëveprojnë në mënyrën e duhur, pa konflikte negative, rezultatet janë përherë premtuese dhe arritje të fitoreve.

     Aty ku emocionet janë negative ka mungesë të informatave, mosbesim, tension, konkurrencë joparimore, tensionim të gjendjes dhe konflikt të mundshëm. [4]

     Mënyra tradicionale e zgjidhjes së konfliktit këshillon përqendrim te detyrat duke u shmangur çështjen e marrëdhënieve.

Fjalët kyç: Biznes, konflikt, mosmarrëveshje, bashkëpunim, negocim.

Qëllimi i punimit

 

     Qëllim i këtij punimi është të bëhet një hulumtim gjithëpërfshirës dhe të konstatohen problematikat që shfaqen në bizneset apo në organizatat e caktuara. Në rastet kur dihen mundësitë që shpiejnë në konflikt, është  më e lehtë të merren masat parandaluese, duke krijuar rregulla dhe mekanizma për shmangien e konflikteve. Qëllim i punimit është argumentimi se negocimi është mënyra më e mirë për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet palëve, për të krijuar një marrëdhënie të re, për të ruajtur respektin dhe që palët të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë për interesat e tyre dhe të biznesit në përgjithësi.

Metodologjia e punimit

 

     Punimi është është shtjelluar kryesisht duke u bazuar në literaturën shkencore, në përvojën që kemi arritur nga puna e drejtpërdrejtë që kemi pasur dhe kemi në biznes, në informatat e pranuara nga personat që kanë pasur mosmarrëveshje te bizneset e tyre gjatë veprimtarisë së tyre apo gjatë procesit të ndarjeve.

Konfliktet etike në biznes

 

     Konfliktet etike në biznes paraqesin një formë të gabuar të sjelljes ku thyhen parimet etike, ku ka mashtrim, pandershmëri, manipulim, shkelje të konfidencialitetit etj. Konflikti etik ndodh kur merret një vendim i cili mund të jetë i paligjshëm, i ndikuar politikisht, i padrejtë për një palë të tretë. Sjellje joetike mund të bëjë edhe një punëtor i cili në vend se të bëjë punët që i janë deleguar, ai loz lojëra kompjuterike, shpërndan sekretet e biznesit apo bën shkelje të tjera.

    Rastet më të shpeshta të sjelljes joetike të bizneseve kanë të bëjnë me evazionin fiskal,  mashtrimet e klientëve, shkeljet e sigurisë në punë etj.

     Menaxhimi në biznes duke u bazuar në rregulla, standarde, të drejta apo parime etike zvogëlon mundësinë e shfaqjes së konflikteve të natyrave të ndryshme. Menaxhimi i shkeljeve disiplinore dhe i ankimimeve duhet të bëhet duke i trajtuar me dinjitet personat e përfshirë, duke u mbështetur mbi bazat etike të biznesit dhe në asnjë mënyrë të mos krijohet hapësirë për konflikte.

     Etika në biznes përkufizohet si shkencë e cila studion moralin, shkencë që studion sjelljet e njerëzve, shkencë e cila merret me normat, rregullat dhe ligjet e një shoqërie[5].

     Të gjitha format e diskriminimit, si: diskriminimi seksual, racor, kombëtar, politik, fetar,  gjinor, statusit martesor, social, diskriminimi sipas invaliditetit, diskriminimi sipas moshës përbëjnë mospranim të diversitetit dhe shkelje të etikës në biznes dhe gjithashtu mundësi ose burim  konflikti.

Disa nga rastet më të shpeshta ku mund të paraqitet konflikti në biznes

 

     Është me rëndësi të dihet burimi i konfliktit të mundshëm në mënyrë që ai të parandalohet.

     Konflikti mund të shfaqet për shkak të dallimeve apo preferencave fetare, etike apo politike.

     Konflikti për pushtet lind atëherë kur palët mundohen ta rrisin ndikimin në procesin e vendimmarrjeve.

     Konflikti mund të  ketë burim aspektin material (ekonomik), që përfshin konkurrencën për të zotëruar burime monetare, njerëzore apo hapësirë.

     Konflikti për shkak të famës, ndodh kur një person dëmton imazhin e personit tjetër duke thënë gjëra të vërteta apo të pavërteta me qëllim që të ulë popullaritetin e tij.

     Konflikti i interesit është rasti kur personi dëshiron të arrijë qëllimet dhe përfitimet personale duke keqpërdorur pozitën e vet, duke dëmtuar interesat e biznesit apo të personave të tjerë.

     Konflikti ndërpersonal, kur palët kanë qëllime, nevoja, sjellje të ndryshme ndërmjet tyre.

     Konflikti për shkak të përkufizimit të paqartë të përgjegjësisë

     Pasi të keni njohuritë e duhura se nga mund ta ketë burimin konflikti, do të jeni më  kompetent për ta trajtuar atë. Para se të veprojmë duhet të analizojmë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e konfliktit e pastaj të përzgjedhim mënyrat  më efikase me të cilat mund të reagojmë dhe menaxhojmë konflikin. Nëse intervenohet me kohë, mundësia për të zgjidhur konfliktin do jetë më efikase.

 Disa nga rastet më të shpeshta ku mund të paraqitet konflikti në biznes janë:

  • Konflikti ndërmjet aksionarëve apo ortakëve në biznes,
  • Konflikti ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve,
  • Konflikti ndërmjet punëmarrësve brenda një organizate,
  • Konflikti ndërmjet menaxherëve dhe punonjësve,
  • Konflikti ndërmjet ndërmarrjeve apo kompanive të ndryshme e sidomos në rastet kur kompanitë janë konkurrente ndërmjet tyre,
  • Konflikti ndërmjet bizneseve dhe medieve,
  • Konflikti biznes-organet-institucionet shtetërore,
  • Konflikti ndërmjet kreditorit dhe debitorit (borxhliut),
  • Konflikti ndërmjet prodhuesit, krijuesit apo ofruesit të produktit a shërbimit dhe konsumatorit.

[1] Disertacioni i Doktoraturës: Negocimi si proces për arritjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit afarist, sfidat dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre, faqe 84.

[2] Stephen P.Robbins&David DeCenzo, Bazat e menaxhimit,  faqe 508, UET/Press, Tiranë, mars 2012,

[3] Lisen Bashkurti, Krizat ndёrkombёtare, fq.236, Tiranё, 2008

[4] Disertacioni i Doktoraturës Negocimi si proces për arritjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit afarist, sfidat dhe mënyrat e zgjidhjes së tyre,faqe 83.

[5] https://www.slideshare.net/fatonbajrami1/etika-n-biznes-dr-ymer-havolli-pyetje-dhe-prgjigje-87330324

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img