Konferenca e tyre erdhi pas arritjes së marrëveshjes me SBASHK-un për fillimin e mësimit të hënën, raporton prishtinapress.eu
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria që ai udhëheq nuk i ka keqkuptuar asnjëherë kërkesat e të gjithëve në lidhje me ligjin për Pagat.
Ai tutje tha se marrëveshja me SBASHK-un do të ishte e pamundur pa kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
“Ne asnjëherë s’i kemi keqkuptuar shqetësimet e tyre ne gjithëherë i kemi mirëkuptuar. Nuk ka qenë e mundur të bëhet marrëveshja me SBASHK-un as pa ndihmën e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë ai.
“Është e ditur që Qeveria është e interesuar t’i japë përgjigje të gjitha kategorive. Ne jemi të interesuar që të respektohet dinjiteti i të gjithëve në Kosovë. Mendoj që jemi gati për nesër, falënderoj sindikatën dhe urime”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se me projektligjin e ri do të rriten pagat për 70 mijë të punësuar.
E kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, shkurtimisht ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor, teksa ka thënë se është arritur një marrëveshje, mirëpo pa dhënë detaje se cila është ajo.