Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga mësimdhënësit që të ndërpresin grevën, shkruan prishtinapress.eu
Sipas Haradinajt, rritja e pagave për mësimdhënësit është dinjitoze.
Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të mësimdhënësve është vendim që sipas tij, sfidon seriozisht kapacitet buxhetore, por siç u shpreh ai, duke marrë parasysh rëndësinë që ka arsimi për të gjithë, mori përkrahje të gjerë.
Haradinaj po ashtu ka shkruar se është e padrejtë dhe joetike që fëmijëve t’iu mohohet e drejta për shkollim pas vendimit të Qeverisë,
“Nuk është kohë pazaresh, por është koha që të fokusohemi në ngritje të cilësisë në arsim. Rritja e pagës është dinjitoze dhe pritjet racionale janë që edhe reflektimi të jetë dinjitoz. Mos i dënoni fëmijët tanë”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.
Njoftimi i plotë i Haradinajt:
Vendimi i Qeverisë për ngritje të pagave për punëtorët e arsimit erdhi pas një procesi serioz të shqyrtimit buxhetor nga Qeveria e vendit dhe u finalizua me pajtimin e plotë të të gjitha partive politike në komisionin parlamentar për administratë publike, qeverisje lokale dhe media.
Është vendim, që sfidon seriozisht kapacitet buxhetore, por duke marrë parasysh rëndësinë që ka arsimi për të gjithë, mori përkrahje të gjerë.
Është e padrejtë dhe jo etike që pas këtij vendimi të mohohet e drejta e fëmijëve tanë për shkollim e aq më pak të ankohet ndonjë punëtor arsimi për pagë të ultë.
Nuk është kohë pazaresh, por është koha që të fokusohemi në ngritje të cilësisë në arsim.
Rritja e pagës është dinjitoze dhe pritjet racionale janë që edhe reflektimi të jetë dinjitoz.
Mos i dënoni fëmijët tanë. Të nderuar punëtorë të arsimit – keni pagë të respektuar!