Gjykata e Gjakovës ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës ndaj ministrit aktual të Infrastrukturës Pal Lekaj, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në kohën kur ishte kryetar i komunës së Gjakovës.
Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës, kërkesa për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave është refuzuar edhe ndaj të akuzuarit tjetër për keqpërdorim të pozitës zyrtare Ismet Isufi, si dhe ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim lidhur me subvencione dhe veprës penale shmangie nga tatimi.
Në aktvendimin e gjyqtarit Shaqir Zika thuhet se kërkesa e avokatëve Arianit Koci, Haxhi Çekaj dhe Agim Muhaxhiri është refuzuar si e pabazuar, duke i cilësuar provat e aktakuzës të pranueshme dhe të qëndrueshme.
Në anën tjetër, e njëjta gjykatë ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale dhe ka pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, për shkak të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me arsyetimin se ka arritur parashkrimi relativ i veprës penale.
Ndërkaq kundër këtij vendimi të gjyqtarit Shaqir Zika, palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në afat prej 5 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën në Prill të vitit 2018, ku pretendon se këto vepra janë konsumuar në kohën kur ministri Lekaj ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës.
Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaçin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.
Ndërsa Veli Hajdaraga, ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione dhe shmangie nga tatimi.
Në lidhje me këtë rast Gjykata e Apelit, rastin ku akuzohet ministri Lekaj bashkë me 6 persona të tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e kishte kthyer në rivendosje për të cilën vepër, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.
Ndërsa sa i përket veprës tjetër të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare për të cilën edhe Gjykata e Gjakovës, e kishte hedhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën e ka vërtetuar edhe Apeli.
Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaçin akuzohen se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.
Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrë Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631.671.82 euro.
Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.
Poashtu edhe i pandehuri Veli Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre.
I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezantuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, respektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.