14.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Mos pjesëmarrja e LDK-së dhe LVV-së në ekip negociator reflekton krizën për dialogun

Partitë politike opozitare më të mëdha në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në vazhdimësi po kundërshtojnë përfshirjen në ekipin negociator për dialogun me Serbinë, duke insistuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Këto qëndrime, sipas njohësve të çështjeve politike në vend dhe të dialogut Kosovë-Serbi, nuk pritet të ndryshojnë as në ditët në vijim, edhe pse vlerësojnë se subjektet do të jenë nën presionin ndërkombëtar për përkrahje të një marrëveshje eventuale me shtetin fqinj.

Kështu të paktën janë shprehur edhe vet përfaqësuesit e LDK-së dhe LVV-së.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar sërish ndaj zërave se partia e tij ka kushte për tu përfshirë në qeverisjen e Ramush Haradinajt.

Mustafa përmes një publikimi në profilin e tij në Facebook, është shprehur se LDK-ja në asnjë variant dhe me asnjë kusht nuk bëhet pjesë e kësaj Qeverie.

“Nuk bëhet pjesë e këtij ekipi negocues! Kjo Qeveri duhet të rrëzohet një ditë e më parë. LDK është partia më e madhe në Kosovë. LDK është në opozitë. Është unike dhe nuk i ka dy zëra. Nga opozita LDK e përkrah dialogun me kriteret e definuara në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së”, ka shkruar ai.

Në të njëjtën linjë për këto çështje po shfaqet edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i LVV-së në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se qëndrimet e tyre lidhur me ekipin negociator nuk kanë ndryshuar.

“Asgjë nuk ka ndryshuar lidhur me ekipin negociator, qëndrimet tona mbesin ato që kanë qenë. Si do të veprojmë më tutje, kur marrim qëndrime, ua bëjmë me dije, pra do t’i bëjmë publike”.

Sipas Kurteshit, Rrëzimi i qeverisë është kërkesë e përhershme e tyre.

“Ne duhet të shkojmë në zgjedhjet të parakohshme, por për këtë ne ende nuk e kemi arritur numrin e deputetëve që kishin me rrëzu këtë qeveri, prandaj përpjekjet po vazhdojnë për një gjë të tillë”, theksoi ai për JnK-në.

Spektri politik në presion për marrëveshje finale me Serbinë

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI),  thotë për Gazetën JnK se kanë kërkuar vazhdimisht që të arrihet një konsensus i gjithë spektrit politik lidhur me këtë fazë të dialogut, që sipas saj po konsiderohet të jetë shumë kritike për Kosovën.

“Partitë politike kanë strategjitë e tyre politike dhe kanë të drejtë të vendosin që të mos i bashkohen ekipit negociator. Megjithatë konsideroj që pozita e Kosovës në këtë fazë të dialogut pa këto dy parti do të jetë më dobët sesa që do të ishte nëse do të kishte një ekip më gjithëpërfshirës në dialogun me Serbinë”, shtoi ajo.

Sipas Haxhollit, presioni ndërkombëtar për përkrahje të një marrëveshjeve potenciale mes Kosovës dhe Serbisë, do të rëndojë edhe mbi partitë që nuk janë pjesë e ekipit negociator.

Ndërsa, Donika Emini, hulumtuese nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë për Gazetën JnK, se mos pjesëmarrja apo kundërshtimi vokal i partive opozitare kundrejt ekipit negociator reflekton ndarjet e thella dhe mungesën e konsensusit politik brenda Kosovës në raport me procesin e dialogut me Serbinë.

“Fakti që ky ekip është formuar është lajm pozitiv që ka sado pak indikacione se mund të ndërtohet konsensusi brenda partive politike në Kosovë në raport me Serbinë, mirëpo mos përfshirja e partive opozitare me peshë të madhe në kuvend nuk garanton se spektri i gjerë politik do t’i mbështesë marrëveshjet apo vendimet që merren nga ky ekip”, theksoi ajo.

Emini vlerëson se presioni për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë po rritet në vazhdimësi dhe se sipas saj, gjasat që të shtyhet për këtë marrëveshje para zgjedhjeve në Bashkimin Evropian janë të mëdha.

“Andaj, kjo duhet të shërbejë si thirrje e fundit për partitë politike që të marrin pjesë në mënyrë proaktive në mënyrë që marrëveshja e fundit të sjellë sa më shumë benefite politike për Kosovën, por edhe procesi i miratimit në parlament të një marrëveshje të jetë më i lehtë”, thotë ajo.

Kërkesat e LDK-së dhe LVV-së për dialogun Kosovë-Serbi

Ekipi negociator i Kosovës, me kryesues Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin është formuar me 15 dhjetor të vitit 2018, kur në Kuvendin e Kosovës u miratua projekt-rezoluta e PSD-së e harmonizuar me pika të propozuara nga pozita, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kishin bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të 15 dhjetorit dhe njëherësh e patën kritikuar iniciativën nga deputetët të cilët mandatin e kanë fituar prej një tjetër subjekti politik.

LDK po vlerëson se ekipi negociator duhet të ketë legjitimitet kushtetues dhe sipas tyre, dialogun nuk mund ta udhëheqin partitë, grupe apo persona që nuk e kanë mbështetjen e shumicës së votave në Kuvend.

Ndërkaq, LVV-ja po vlerëson se duhet të bëhet një rishikim i të gjitha marrëveshjeve të deri tanishme mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.

Ndërkaq, e përbashkëta e të dyja subjekteve politike është kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të emërohet një ekip negociator legjitim.

Në anën tjetër, ekipi negociator deri më tani ka zhvilluar vetëm një takim njoftues me ndërmjetësuesit e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.

Kurse, në Kosovë ditëve të fundit është raportuar se presidenti Hashim Thaçi nuk i ka dorëzuar ekipit negociator dokumentacionin zyrtar të procesit të dialogut, të cilin deri më tani e ka udhëhequr vetë presidenti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img