4.5 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Mjekët dhe infermierët ikin nga Kosova

Përderisa numri i pacientëve që frekuentojnë, në baza ditore, Qendrën Klinike Universitare, është më shumë se 30 mijë vizitorë, sektori i shëndetësisë po përballet me problematikën e ikjes së mjekëve, por edhe të infermierëve nga vendi, në kërkim të punës së njëjtë nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
Kuadri specialistik mjekësor në Kosovë jo rrallë ka treguar interesim për punësim në vende të ndryshme të botës, ku pagesat janë shumë më të mira. Edhe infermierët, në shumë raste, kanë ndjekur rrugën e mjekëve specialistë.
Vetëm nga Qendra Emergjente, gjatë vitit 2014, kanë ikur më shumë se 10 infermierë, gjë që ka bërë që kjo klinikë, si më e frekuentuara në tërë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe qendër terciare referente për gjithë Kosovën, të mbetet me mungesë të kuadrit të mesëm.
Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, i tha Radios Evropa e Lirë, se shumë mjekë e infermierë tashmë janë në kurse të gjuhës gjermane, pasi që shteti gjerman ka kërkesë të madhe për infermierë dhe kosovarët janë të interesuar të punojnë atje për shkak të kushteve më të mira të punës dhe pagës më të madhe.
“Kemi informata që një pjesë e stafit mjekësor, mjekë dhe infermierë, po e mësojnë gjuhën gjermane. Por, ne nuk duhet lejuar që njerëz profesionistë të ikin nga vendi, pasi që për ata njerëz ka nevojë Kosova”, ka thënë Lenjani.
Por, Ministria e Shëndetësisë thotë se fenomeni i ikjes së stafit profesional nuk po e godet vetëm Kosovën.
Faik Hoti, drejtor i departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, i tha Radios Evropa e Lirë se me këtë situate të ikjes së stafit nga vendi përballen edhe shtetet më të zhvilluara, përfshirë Gjermaninë.
“Lëvizja e stafit, përkatësisht e infermierëve, por edhe e mjekëve, nuk është trend që ndodh vetëm këtu. Me këtë dukuri po ballafaqohen edhe shtetet tjera. Por ajo që na mbetet neve është që të krijojmë mundësi që pas kryerjes së shkollimit profesionistët ta gjejnë veten këtu. Ka shumë shtete që ballafaqohen me këtë fenomen, si vetë Gjermania, ku stafi po u ikën në vendet skandinave”, ka thënë Hoti.
“Mundësitë e kufizuara buxhetore nuk po lejojnë të punësojmë infermierë të rinj, pasi që ka të tillë, dhe kjo shihet si më problematike, pasi që nuk ka mungesë”, ka shtuar ai.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të punësuar rreth 613 mjekë dhe 1,833 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj.
Lirie Beqiri, drejtoreshë e Infermierisë në këtë institucion, i ka thënë kohë më parë Radios Evropa e Lirë se ka mungesë të stafit në këtë institucion, duke shtuar se janë gjithsej 1,833 infermierë, të cilët punojnë për 2,099 shtretër, sa edhe i ka Qendra Klinike.
“Infermieret ndahen me punë në mami, infermiere pediatrie, instrumentare, teknike anestezioni, laborant, teknik rëntgeni, teknik farmacie, si dhe kardiokirurgjia e të tjera. Është numri i vogël, në raport me kërkesat. Ne edhe vitin e kaluar kemi kërkuar rritje të stafit, ku kërkesa jonë ka qenë se na duhen edhe rreth 300 infermierë më shumë”, ka thënë Beqiri.
Aktualisht Qendra Klinike Universitare e Kosovës gjatë ditës frekuentohet nga më shumë se 30 mijë vizitorë, ndërkohë që vetëm në Qendrën Emergjente ndihmë mjekësore për 24 orë kërkojnë rreth 200 persona.
Qendra është e mbingarkuar me vizitat e pacientëve që vijnë prej gjithë Kosovës dhe mos rregullimi i një sistemi të referimit nga qendrat e tjera ka sjellë shumë herë telashe në funksionimin e saj.
Drejtues të këtij institucioni spitalor, më të madhit në vend, thonë se mungesa e funksionimit të rregullt dhe rrjedhimisht edhe e respektimit të institucionit nga vetë pacientët ka sjellë telashe të mëdha.
Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, thotë se mbi 70 për qind e rasteve nuk janë për trajtim terciar në klinikën që ai drejton, por që në mungesë të sistemit të referimit, kjo problematikë nuk po mund të rregullohet.
“Kjo problematikë për ngarkesën e QKUK-së vazhdon që 17 vjet. Mungon sistemi i referimit, një dokument mjekësor, një udhëzim që do të rregullonte nivelin parësor, dytësor dhe tretësor dhe atë se cilat raste duhet të referohen në pjesën terciare”.
“Përkundër mungesës së këtij dokumenti shumë të domosdoshëm, që vendet e rajonit e kanë të rregulluar, nga Ministria e Shëndetësisë kërkohet që të fillohet të hartohet dhe më pas të miratohet nga organet gjegjëse”, thotë Lenjani.
Megjithatë, mendimin e drejtuesve të QKUK nuk e ndajnë edhe Ministria e Shëndetësisë. Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë thotë se problemi i frekuentimit të lartë të pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vjen edhe si pasojë e vetë atyre që vetë i referohen qendrës terciare, pa udhëzime mjekësore.
“Ligji për shëndetësi saktëson qartë nivelet e referimit të pacientëve, prej një niveli në tjetrin. Pra, është e përcaktuar kur një profesionist ka të drejtë të referojë pacientin. Ajo që shihet më problematike është se një numër i qytetarëve vetë referohet në Qendrën Klinike Universitare”.
“Kjo është një temë që diskutohet në nivele të ndryshme, por është me rëndësi që të diskutohet mes profesionistëve shëndetësorë, pasi që Ministria e Shëndetësisë e ka përcaktuar me ligj”, thotë Hoti.
Sidoqoftë, problemet në sistemin e shëndetësisë në Kosovë vazhdojnë të rëndojnë gjendjen e përgjithshme, sado që institucionet spitalore, kudo qofshin në Kosovë, thonë se po përballen me mungesë të kushteve, por edhe të stafit profesional. Autoritetet në vend ende nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje për problemin e shëndetësisë, por shumë herë janë akuzuar se janë përfshirë me ndikime në gjithë sistemin. /REL/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img