Pas ndalesave e peripecive, me të cilat u ballafaquan kohë pas kohe pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë kalimit nga Kosova për në Serbi, kohët e fundit edhe disa përfaqësues politikë serbë, po përjetojnë ndalesa e pengesa të njëjta.
Pas deputetit dhe kryetarit të Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, i cili ishte ndaluar kohë më parë, të enjten, autoritetet serbe kanë ndaluar edhe një zyrtar tjetër të kësaj partie.
Nebojsha Jakovljeviq, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, është ndaluar për disa orë dhe është marrë në pyetje.
Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, tha për Radion Evropa e Lirë, se ndalesat e tilla të qytetarëve pa një urdhëresë nga ndonjë institucion i rendit apo i sistemit të drejtësisë, paraqesin shkelje të të drejtave të njeriut.
“Standardet ndërkombëtare janë shumë decidive sa u takon situatave të ngjashme si kjo dhe ka shumë standarde që i zbatojnë mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtarë. Asnjë ndalesë e tillë nuk do të duhej të bëhej, sidomos nëse është përjashtimisht ndonjë vendim i gjykatës, e cila autorizon një ndalesë e tillë”.
“Çfarëdo ndalesë tjetër konsiderohet si vendim arbitrar dhe që cenon lirinë e lëvizjes dhe lirinë e personit dhe si e tillë, është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare që vlejnë për rajonin e Këshillit të Evropës dhe shteteve që janë anëtare, në këtë rast edhe Serbia, e cila nga viti 2004, është pjesë e mekanizmave ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Jashari.
Sipas tij, për këto raste, institucionet e Kosovës mund të bëjnë ankesa në Komitetin për Mbrojtjen Kundër Torturës në Këshillin e Evropës apo edhe në Komisionin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut po në Këshillin e Evropës.
Partia e Pavarur Liberale udhëhiqet nga Sllobodan Petroviq, i vetmi nga 10 deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, që nuk i takon Listës Serbe, subjekt që ka mbështetjen e drejtpërdrejtë të Beogradit. Edhe Petroviq, më 8 dhjetor, ka qenë i ndaluar dhe intervistuar për më gjatë se katër orë në Merdare.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Petroviq tha se kjo nuk është hera e parë që pjesëtarët e Partisë Liberale ndalohen në vendkalimin kufitar dhe, sipas tij, bëhet fjalë për “maltretim politik të atyre që mendojnë ndryshe politikisht”.
“Ky është një presion politik dhe për këtë arsye, veprojnë në këtë mënyrë. Kjo duhet gjykuar në çdo formë. Duhet që përfundimisht t’i dilet në rrugë kësaj mënyre të maltretimit të njerëzve, veçanërisht të atyre që janë zgjedhur nga qytetarët. Jakovljeviq është nisur në mëngjes me fëmijën e tij, për në spital, ku ka pasur kontroll të caktuar në ora 10. Ndërkaq, është ndaluar në orën 4 të mëngjesit”, bëri të ditur Petroviq.
Ai shtoi se lidhur me këtë çështje do të takojë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar duke kërkuar që autoritetet serbe t’i ndalojnë praktikat e tilla.
Kryeministri Haradinaj ndalimin në Merdare nga autoritetet e Serbisë të Nebojsha Jakovljeviqit e ka dënuar dhe e ka cilësuar si vendim të “papranueshëm dhe të dënueshëm”.
“Qeveria e Kosovës, dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës. Ky veprim, nuk është i vetmi dhe as i izoluar, por është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tonë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Javën e kaluar, gjithashtu në Merdare, është ndaluar dhe është marrë në pyetje edhe nënkryetari i Partisë së Pavarur Liberale dhe zëvendësministri i Kulturës në Qeverinë e Kosovës, Boban Stankoviq.
Gjatë verës së vitit 2018, me probleme të tilla janë ballafaquar edhe pjesëtarët serbëtë Forcës së Sigurisë së Kosovës. Disa prej tyre, më pas i kanë braktisur radhët e FSK-së, ç’gjë nga autoritetet e Kosovës ishte konsideruar si pasojë e presioneve nga Beogradi zyrtar.