-1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Çollaku: Nëse ne dështojmë nuk kemi të drejtë ta fajësojmë BE-në

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi i Komitetit LIBE i hap rrugën Kosovës për liberalizimin e vizave, me kushtin e përmbushjes së standardit të ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi.
Ai tha se edhe liberalizimi i vizave edhe Demarkacioni janë interes nacional i Kosovës dhe spektri politik në vend “në mënyrë të matur do të dijë t’i jap përgjigje adekuate edhe çështjes së ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion duke i hapur rrugën procesit të liberalizimit të vizave”
Komiteti për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme i dha mbështetje raportit të raportueses së posaçme të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave me Kosovën, Tanja Fajon, por nuk i dha asaj mandatin për fillimin e negociatave me Këshillin e Bashkimit Evropian për Kosovën”.

Radio Evropa e Lirë: Si e keni kuptuar ju vendimin e Komitetit LIBE?
Bekim Çollaku: Faktikisht është një vendim pozitiv që Komiteti LIBE i ka dhënë Kosovës. Është mbështetje dhe konfirmim i mbështetjes nga eurodeputetët për Kosovën, si rezultat i punës së madhe që kemi bërë në përmbushjen e kritereve. Me votimin, Kosovës i mundësohet që të procedojë me hapin tjetër të vendimmarrjes në vazhdën e zinxhirit të vendimmarrjes që është duke ndodhur në institucionet e BE-së.
Pra, i mundësohet që të shkojë në votim në seancë plenare të Parlamentit të Bashkimit Evropian, mirëpo me një kusht që u bë i qartë. Gjatë votimit dhe gjatë diskutimeve përpara votimit u bë e qartë se Kosovës po i afrohet kjo mundësi dhe po i jepet përkrahje në këtë Komitet më kushtin e vetëm që votimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian mund të procedohet vetëm atëherë kur Kosova ta përmbushë edhe kriterin tjetër të mbetur që ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Radio Evropa e Lirë: Sikur jeni shumë optimist se Kosova do ta përmbushë edhe kushtin e fundit për liberalizim të vizave. Në fakt, sa do të arrijë politika në Kosovë që të bashkohet rreth një tryeze të përbashkët, për të zgjidhur problemin e marrëveshjes me Malin e Zi?

Bekim Çollaku: Kushtëzimi i liberalizimit të vizave me Kosovën, me çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare është krejtësisht i padrejtë dhe një kusht që nuk i është dhënë asnjë shteti tjetër që ka kaluar nëpër këtë proces dhe tek e fundit nuk është i dhënë as dy shteteve të tjera që janë në pritje të një votimi pozitiv nga BE-ja.
Bëhet fjalë për Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Por, megjithatë ky është një fakt i cili nuk mund të mohohet dhe as të anashkalohet assesi. BE-ja, të gjitha nivelet, të gjitha instancat, të gjitha institucionet, duke përfshi edhe shtetet anëtare, e kanë bërë të qartë se qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Ndërsa edhe Komiteti LIBE e bëri të qartë të njëjtën gjë.
Edhe pse ka qenë një lajm pozitiv nga Brukseli i njëjti lajm nuk mund të konsiderohet ose trajtohet si një fakt i përmbyllur. Sepse, vendimi nuk përfundon këtu. Ne përfunduam vetëm njërën nga fazat e vendimmarrjes por faza tjetër që është në seancë plenare të Parlamentit të BE-së nuk do të mund të ndodh, nuk do të procedohet pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Unë shpresoj se koha që na është dhënë në dispozicion, mundësia që na është dhënë në dispozicion do të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë nga politikbërësit në Kosovë, nga liderët e partive politike, opozitare dhe ato të pozitës, e mbi të gjitha nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që në mënyrën më serioze ta trajtojnë këtë çështje dhe t’i japin përgjigjen e merituar në një afat sa më të shkurtër. Sepse mos të harrojmë se afati kohor është tepër i rëndësishëm për vazhdimin e vendimmarrjes në fazat e mëtejme në kuadër të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së.
Unë mbes optimist se do të ketë reflektim pozitiv prej gjithë spektrit politik në Kosovë dhe që në mënyrë të matur do të dijë t’i jap përgjigje adekuate edhe çështjes së ratifikimit të marrëveshjes së shënimit të vijës kufitare dhe në këtë mënyrë të hap rrugën e sigurt për procesin e liberalizimit të vizave. Sepse po flasim për dy çështje të interesit nacional.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë zoti ministër, sa optimiste apo më mirë realiste do të jetë që kosovarët të udhëtojnë pa viza në BE deri në fund të këtij viti?
Bekim Çollaku: Është krejtësisht e mundur. Është pothuajse një qind për qind e sigurt se një mundësi e tillë do t’i ofrohet Kosovës dhe një vendim i tillë do të merret për Kosovën deri në fund të këtij viti, nëse, nëse dhe po e ritheksoj nëse ne i kryejmë obligimet e mbetura. Prandaj kërkohet seriozitet i jashtëzakonshëm nga ana e vendimmarrjes së institucioneve të Republikës së Kosovës. Nëse ne nuk i kryejmë obligimet tona, nuk kemi të drejtë që ta fajësojmë BE-në në rast të dështimit. /REL/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img