1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Lëshimet që mund t’i kushtojnë miliona Kosovës

Institucionet e Kosovës kanë bërë lëshime në rastin e pasaportave biometrike të cilat mund t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës miliona euro. Hulumtimi i Gazetës JnK zbulon se ka pasur lëshime gjatë hartimit të kontratës, por edhe me rastin e vendosjes për shkëputjen e saj. Lëshime ka bërë edhe Gjykata Themelore e Prishtinës, duke mos e trajtuar me prioritet kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Pak javë pas skandalit të pasaportave, Ministria e Punëve të Brendshme kishte vendosur ta anulojë kontratën me kompaninë austriake OeSD.
Gazeta JnK zbulon një varg lëshimet që janë bërë nga institucionet e Kosovës, e të cilat mund të çojnë në humbjen e miliona eurove në arbitrazhin ndërkombëtar.
Zyrtarë të përfshirë në proces kanë potencuar defekte duke përfshirë faktin se MPB-ja nuk ka konsultuar avokatët e as juristët kur ka marrë vendimin për shkëputjen e kontratës, e deri te lëshimet e kryera  gjatë hartimit të kontratës.
Hulumtimi zbulon se pas shkëputjes së kontratës, OeSD-ja kishte nisur procedurën në Arbitrazhin në Paris. MPB-ja nuk kishte qenë e pajtimit për këtë dhe kishte dorëzuar një padi në Gjykatën Ekonomike duke kontestuar juridiksionin e arbitrazhit. Kërkesa e MPB-së nuk është vendosur asnjëherë nga gjykata ndërsa në Paris, Gjykata e Arbitrazhit ka vendosur se MPB-ja ka qenë fajtore me rastin e shkëputjes së kontratës për furnizim me pasaporta. Arbitrazhi e ka obliguar MPB-në që t’i paguajë dëmshpërblim kompanisë austriake OeSD shumën prej 5 milionë euro.
Në muajin janar të vitit 2013, Ministria e Punëve të Brendshme kishte vendosur që të ndërpresë kontratën me kompaninë OeSD me arsyetimin se kontingjentet e pasaportave ishin vonuar. Përfaqësuesja e kësaj kompanie në Kosovë Natali Veliaj ishte arrestuar pak ditë më herët dhe mbi të rëndonin akuza për mashtrim  në skandalin e shumëpërfolur të pasaportave.
Për publikun ende është e paqartë se kush vendosi që kontrata në vlerë mbi 14 milionë euro të shkëputet me austriakët e OeSD-së. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka përgjigje në pyetjet se kush e mori vendimin. Në njoftimin e MPB-së me rastin e shkëputjes së kontratës është dhënë një sqarim.
“Është shkelur neni 5 i kushteve të veçanta të kontratës bazë. Nuk është respektuar neni 3 i marrëveshjes, neni 16 i kontratës dhe së fundi është refuzuar kërkesa jonë për zgjidhje miqësore në të gjitha pikat kontestuese”, thuhet në njoftimin e MPB-së, të lëshuar në janar të vitit 2013.
 

 
Avokati Gazmend Nushi, i cili ishte angazhuar ta mbrojë MPB-në në arbitrazh, thotë se gjatë përgatitjes së lëndës nuk ka gjetur ndonjë dëshmi se si erdhi deri te shkëputja e kontratës. Thotë se MPB-ja nuk ka bërë konsultime me profesionistë para se të shkëputej kontrata.
“Fatkeqësisht Ministria e Punëve të Brendshme pa konsultim me avokatë profesionistë ka vlerësuar se ka si arsye të mjaftueshme për me shkëput kontratën për shkak se ka pasë vonesa në furnizim me pasaporta. Ka pasë vonesa ekstreme”, tha Nushi.
KALLXO.com, i dërgoi pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme për procesin se si erdhi te shkëputja e kontratës, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjen konkrete.
Avokati që përfaqësoi MPB-në në këtë proces gjyqësor, tregon lëshimet që janë bërë nga ministria.
“Gabimi i ministrisë ka qenë se nuk ka reaguar me kohë. Sipas dispozitave ligjore pasi që austriakët janë vonuar MPB ka qenë e obliguar të reagojë në afat të arsyeshëm, e që në praktikë dhe teori gjyqësore nënkupton disa javë, për shembull dy apo tri javë”, ka thënë Nushi.
Vonesat e kontingjenteve të pasaportave, sipas tij, varionin në mes të 5 (kontingjenti i fundit) dhe 15 muaj (kontingjenti i parë).

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img