Njohësit e çështjeve juridike thonë se Kushtetuesja ka tejkaluar afatet për ta shqyrtuar këtë lëndë. Ata gjithashtu thonë se Thaçi shpreson që gardiania e Kushtetutës do t’ia mundësojë ta anashkalojë Kuvendin për marrëveshjen me Serbinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Para më shumë se dy muajsh presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta bënte interpretimin e Nenit 18 të Kushtetutës, në të cilin thuhet se marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Me këtë rast kreu i shtetit kishte kërkuar nga Kushtetuesja që të saktësonte nëse marrëveshjet e tilla konsiderohen të ratifikuara në momentin që nënshkruhen nga presidenti ose duhet të kalojnë edhe në Kuvend që të votohen me 2/3-at e votave të deputetëve, shkruan Gazeta “Zëri”.
Megjithëkëtë, Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar tashmë afatin kohor të përcaktuar me Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese, duke mos dalë ende me një interpretim rreth kësaj çështjeje.
Pavarësisht kësaj, nga Kushtetuesja i kanë thënë gazetës se vendimi mbi kërkesën e kreut të shtetit do të merret pas shqyrtimit të të gjitha aspekteve kushtetuese të çështjes së parashtruar.
Ndërkaq ekspertët e sistemit të drejtësisë konsiderojnë se pas tejkalimit të afatit kohor Kushtetuesja duhet ta njoftojë publikun nëse ka kërkuar kohë shtesë për ta trajtuar çështjen në fjalë.