Serbët e veriut të Mitrovicës janë ankuar se çmimet e të gjitha produkteve kanë lëvizur menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vënie të taksës 10 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës.
Sipas një ankete, që e ka realizuar radio “Kontakt Plus” në veri të Mitrovicës, serbët janë ankuar se rritja e çmimeve është “goditje në xhepin e qytetarëve”. Sidomos serbët janë ankuar në ngritjen e çmimit të qumështit dhe të produkteve të qumështit, shkruan Zëri.
Sipas tyre, një litër qumësht “Kravica” tani kushton 110 dinarë ose rreth 1 euro.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 10 për qind në pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë ka bërë që çmimet e të gjitha produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnja të rriten. Në bazë të çmimit të qumështit i cili ka qenë 8 centë tanë është 18 centë, në jogurt që ka qenë 18 centë tani është 28 centë, si dhe në qumështin prej çokollate”, është shprehur Nikolla Çeperkoviq nga qumështorja “Imlek”, i cili ka sqaruar se çmimet janë rritur si pasojë e taksës që ka vënë Prishtina.