Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka komentuar deklaratën e Isa Mustafës i cili ditë më parë se do të bashkëpunojnë qoftë edhe me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Krasniqi ka thënë se nuk është kurrfarë çudie nëse LDK do të bashkëpunonte me Listën Serbe, për një qëllim të tillë, pra, rrëzimin e qeverisë.
Por sipas tij LDK nuk guxon as të mendoj për zgjedhje në mënyrë serioze.
“LDK-ja as nuk guxon me mëndu për zgjedhje seriozisht. LDK sikur ta kishte seriozisht punën e zgjedhjeve, ata, kanë mundur deri tash me iniciua mocionin e mosbesimit, por, kjo është veç demagogji retorike, ditore për me u mundu me mbajte elektoratin e tyre gjallë”, ka deklaruar ai për “Insajderin”.
Në një pjesë të intervistës Memli Krasniqi iu drejtohet partisë së Mustafës me; “Urdhëroni, filloni mocionin e mos besimit nëse e keni perime”.
Sipas tij Lidhja Demokratike ka probleme të brendshme andaj edhe i frikësohet zgjedhjeve në këtë kohë.
“E vërteta është diku tjetër. LDK frikësohet prej zgjedhjeve më shumë se prej çka do tjetër sepse LDK ka problemet e tyre të brendshme të cilat unë nuk dua t’i komentojë, por, që i dimë të gjithë. Zgjedhjet e parakohshme vetëm sa do ta komplikonin situatën për të gjithë”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas një takimi që ka mbajtur me Kryesinë e partisë si dhe me kryetarët e degëve të partisë së tij ka thënë se do t’i pranonte votat e Listës Serbe, të cilët tashmë kanë shprehur vullnetin për ta rrëzuar Qeverinë.