Një rrëfim i pasigurisë politike po e bën Kosovën të damkosur dhe të papërgjegjshme. Kjo gjuhë po e bën popullatën më të pjekur politikisht sesa elita e saj politike.
Si shembull mund ta përmendi diskursin e Avdullah Hotit – dhe jo vetëm të atij.
Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar një klimë pasigurie politike që po ndikon në lëvizjen e pozicionimeve të interesave globale.
Cili mund të jetë epilogu i këtij procesi, sa mund të zgjasë dhe a mund ta përmbyll Kosova shtetësinë në këtë proces?
Përderisa jemi tek produkti final i dialogut Kosovë-Serbi, gjithsesi duhet të ndalemi tek vlerësimi i idesë për “korrigjim të kufijve” të artikuluar nga ana e Presidentit të Kosovës.
Sidoqoftë, përkundër proklamimeve të vazhdueshme në opinion publik, ekziston një gjasë reale për mos-arritje të marrëveshjes edhe vitin tjetër për shkak të mospajtueshmërisë së palëve? Çështja është se nëse kjo ndodh a i rrit gjasat e procesit për bashkim kombëtar, apo e bën Kosovën me gjuhë dominuese politike si të Avdullah Hotit, ku gara për epitetin “tradhti” e kap kulmin e joseriozitetit si mënyrë e komunikimit politik?
Po ndalem tek Parisi dhe të dy shtetet që kanë korrigjuar gjithçka nga a kaluara e tyre, që nga Versaja dhe që nga koha kur i kanë ndarë shqiptarët në disa hapësira politike dhe territoriale.
Franca dhe Britania gjatë shekullit të kaluar dhe këtij shekulli, ishin të respektueshme ndaj dinjitetit të Kosovës.
Në Rambuje, ku është mbajtur konferenca që e ka përcaktuar të ardhmen e Kosovës, delegacioni i Kosovës e ka mbajtur një qëndrim për të luftuar për liri dhe barazi. 20 vjet më vonë, nën Harkun e Triumfit, nga Franca kemi marrë vëllazëri – Kosova u njoh si anëtare e barabartë e shteteve botërore.
Dhe kjo nuk ishte thjesht simbolike. Ishte shumë konkrete dhe shumë e detyrueshme. Nuk kishte yje, asnjë justifikim për pozitën dhe trajtimin e Kosovës dhe Presidentin e saj Thaçi në Paris. Ishte sinjal shumë transparent për të gjithë ata (jashtë dhe në shtëpi) që dyshojnë dhe luajnë lojëra të egra me shtetësinë e Kosovës.
Në transmetimin e drejtpërdrejtë në televizionin e tyre kombëtar, qytetarët serbë panë dhe kuptuan se Kosova është shtet, partner i barasvlefshëm në bashkësinë ndërkombëtare. Dhe nuk ishte çështja kush mori një karrige më të mirë, Vuçiq ose Thaçi. Ishte për respektin që Presidenti i Kosovës mori nga krerët e fuqive botërore.
Sepse Thaçi tash po e diskuton të ardhmen e Kosovës edhe me Vladimir Putinin, pasi ai ka qenë ulur me vendimmarrësit e SHBA-ve dhe BE-së. Është rasti i burrështetasve, përgjegjësia e burrështetasve, që duhet ta japin vizionin më të mirë të mundshëm për të ardhmen e vendit.
Po, Kosova është ndihmuar nga miqtë, SHBA-ja mbi të gjitha, por ka ardhur koha të jemi të qëndrueshëm dhe natyrisht jemi të pritur dhe të respektuar për të vepruar vet me një konsensus lidershipi.
Çka ka marrë Kosova nga Parisi, dhe cili është simbolizmi i vërtetë i trajtimit të Kosovës në Paris?
E para: Ne jemi të respektuar dhe ka qenë një bindje dhe besim që jemi gati të kujdesemi për të ardhmen tonë.
E dyta: Është pjekuria që Kosova fitoi në dy dekada sfiduese që nga Rambujeja. Është gjithashtu pjekuria e burrështetasit, e fituar nga forca dhe guximi i luftëtarit, por edhe pjekuria që kupton se koha e luftëtarëve ka kaluar. Tani është koha për të qenë politikan.
Kosova e fitoi këtë pozicion në kohën kur balanca e pushtetit botëror nuk është ajo që ishte dikur.
E treta: Vet Evropa është e habitur dhe e hutuar nga fantazmat e veta nga e kaluara, populizmi dhe nacionalizmi. Amerika e Trumpit dhe Brexit po bëjnë thirrje për balancat e reja të pushtetit në kontinent, ndërsa Rusia është gati ta përdor këtë mundësi.
Ballkani Perëndimor është në harresë, duke u përpjekur ta tërheq veten drejt bashkëjetesës, stabilitetit dhe rritjes, në kohërat kur anëtarësimi në BE duket gjithnjë e më shumë si një lloj fiksioni.
Në këtë kohë konfuze të shfaqjes së rendit të ri botëror, Kosova është e thirrur ta luajë lojën e pushtetit dhe për këtë i jepet vendi dhe zëri midis lojtarëve të fuqisë. Por, kështu s’e kupton Avdullah Hoti, as disa të tjerë.
Kjo është arsyeja pse – mbi të gjitha për Serbinë – Parisi ishte për ta kuptuar se për Putinin edhe Kosova është një lojtare ndërkombëtare dhe jo vetëm një lojë kartash me SHBA dhe Europë.
Ky kuptim nga ai takim tashmë është ndërrim i lojërave. Ai dërgon sinjal se Vuciqi nuk është aq i fuqishëm sa do të kishte mundësi ishte me monopolin e qëndrimit rus ndaj marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kjo mund të nënkuptojë gjithashtu se Vuciqi ishte për një kohë të gjatë duke u përpjekur të luante lojë të dyfishtë me Perëndimin dhe Rusinë, por pasi fluturoi me dy vendet ai papritmas e gjen veten pa vend (ose të paktën, një vend nga ana tjetër në rreshtin e tretë).
Tash e tutje kjo do të nënkuptojë se marrëveshja e bërë nga Vuciqi do të varet gjithnjë e më shumë nga Presidenti i Kosovës.
Hashim Thaçi duhet të jetë, ashtu si e gjithë politika kosovare, i kujdesshëm me këtë avantazh. Kjo nuk duhet të jetë një lojë e fituar nga një takim dhe një prezantim në Paris. Gjithkush duhet të fitojë, qytetarët në Serbi dhe Kosovë gjithashtu.
Ajo që është me rëndësi – ne jemi trajtuar me respekt sepse kemi treguar kapacitetin e ndërtimit të shtetit. Prej nesh pritet të lëvizim përtej viktimizimit dhe t’i trajtojmë të tjerët me respekt.
Tani është koha për të treguar se ne kemi elitë politike që ka një vizion dhe forcën për të qëndruar për të. Sepse, “nëse nuk qëndroni për diçka, ju do të bëni asgjë”.