9.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Vetëvendosjes nuk i duket serioze iniciativa e Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë

Partitë politike opozitare në Kosovë janë në dilemë nëse do të shfrytëzojnë ofertën e Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ditë më parë, Lista Serbe, e cila përfaqëson e komunitetin serb në institucionet e Kosovës, ka thënë se veprimet e saja në Kuvendin e Kosovës “do të jenë si opozitë e plotë” dhe se do ta mbështesin “çdo propozim për të rrëzuar Qeverinë”.

Deklaratat e tilla të Listës Serbe kanë ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 10 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia.

Partitë politike opozitare, deri më tash, në vazhdimësi kanë theksuar se janë duke u përpjekur t’i sigurojnë edhe 4 vota nga deputetët e partive brenda koalicionit qeverisës, në mënyrë që ta votojnë një mocion mosbesimi për Qeverinë e kryeministrit Haradinaj dhe ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Megjithatë, opozita po i qaset me mjaft kujdes ofertës së Listës Serbe.

Besa Gaxherri, deputete e Kuvendit të Kosovës nga subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjekti që ajo përfaqëson është në kërkim të mundësisë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por ende nuk e ka shqyrtuar mundësinë e shfrytëzimit të votave të Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë.

“Këtë moment, ne si LDK ende nuk e kemi shqyrtuar. Do të thotë, ende nuk është marrë vendim nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duhet të analizohet mirë, se a është më mirë që t’i marrim këto vota dhe ta rrëzojmë Qeverinë dhe të bëjmë zgjidhje të problemit apo është më mirë që ta përcjellim mesazhin te Qeveria e Beogradit se kjo Listë nuk mund ta rrëzojë Qeverinë apo nuk mund të ndikojë në institucionet e vendit. Këtë, për momentin, unë nuk mund ta them, për arsye se ende LDK-ja nuk ka marrë qëndrim rreth kësaj çështjeje”, theksoi Gaxherri.

Ndërkaq, deputetja e partisë tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se subjekti i saj politik është i interesuar që ta rrëzojë Qeverinë e kryeministrit Haradinaj, por jo përmes pazareve politike me Listën Serbe.

“Ne besojmë që Qeveria e Haradinajt duhet të largohet për shkak të skandaleve të shumta që i ka bërë, për shkak të keqpërdorimit të buxhetit të vendit dhe një varg të skandaleve të tjera, por jo për të vetmin vendim, një prej vendimeve të rralla që mund të konsiderohet që është në të mirë të vendit, ndonëse është i pamjaftueshëm. Ajo që dua të përmendi është që ne nuk bashkëpunojmë me Listën Serbe, në raport të bërjes së pazareve. Por, në rast se ata i ofrojnë votat, atëherë kjo është një çështje që duhet parë dhe të merret vendim, bashkë edhe me subjektet tjera”, tha Nagavci.

Mendim të përafërt ka edhe deputetja Gaxherri, e cila thotë se votat e ofruara nga Lista Serbe, janë më shumë shantazh nga autoritetet e Beogradit ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Nëse nuk harroni, që në fillim të mandatit, ne kemi pasur mundësinë e njëjtë me Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë. Por, kemi dhënë që të kuptojnë, jo Listës Serbe, por Beogradit, se nuk mund të ndikojë në Qeveri, në koalicionet apo qoftë edhe në institucionet e Republikës së Kosovës përmes kësaj Liste ose përmes këtyre deputetëve, sepse fatkeqësisht, deputetët e Listës Serbe janë tërësisht të manipuluar nga Qeveria e Beogradit”, u shpreh Gaxherri.

Deputetja Nagavci thotë se edhe më parë, Lista Serbe i ka bërë shantazh Qeverisë së Kosovës, duke e kërcënuar me largim të saj nga ekzekutivi. Por, megjithatë, sipas saj, përfaqësuesit e saj kanë vazhduar t’i shfrytëzojnë përfitimet nga postet në dikasteret qeveritare.

“Ne nuk e shohim si një seriozitet të Listës Serbe. E gjitha që ndodh në veprimet e kësaj Liste, është shantazh ose një ndikim nga vet Serbia për të shantazhuar apo për të rrëzuarQeverinë Haradinaj”, theksoi Nagavci.

Sidoqoftë, partitë opozitare në Kosovë, tash e disa muaj, kanë përgatitur mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, mirëpo atyre iu mungojnë edhe katër vota për të arritur shumicën e nevojshme prej 61.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img