9.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Reçica hap konsultimet publike për Koncept Dokumentin e reformës pensionale

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, përmes një konference për media ka lansuar sot konsultimet publike për Draftin Fillestar të Koncept Dokumentit për Rregullimin dhe Menaxhimin e Fushës së Pensioneve dhe Beneficioneve. Ministri tha se në kuadër të reformave të ndërmarra në fusha të ndryshme, MPMS ka ndërmarrë hapa edhe për reformimin e plotë të sistemit pensional, bazuar në vështirësitë dhe problemet e evidentuara në analizat e ndërmarra.

“Duke qenë se e drejta për mbrojtje sociale është e drejtë themelore e qytetarëve, kemi drejtuar politikat e vendit ka politikat sociale. Jemi angazhuar në reformimin e sistemit të mbrojtjes sociale, përmes krijimit të një sistemi të qëndrueshëm pensional dhe invalidor, duke harmonizuar kornizën ligjore dhe riorganizimin institucional”, tha ministri.

Reçica tha se sistemi aktual pensional, i cili është i konstruktuar në tri shtylla, nuk është i mirëfilltë sepse është ndërtuar duke krijuar skema pensionale ad-hoc të cilat janë krijuar nga nevoja e kohës dhe si të tilla janë të paqëndrueshme.

“Skemat pensionale ose të kompensimeve aktualisht janë të rregulluara me tetë ligje të ndryshme të cilat shpesh bien ndesh në mes veti dhe na kanë krijuar vështirësi në zbatimin e tyre në përgjithësi”, u shpreh ministri.

Ministri tregoi se reforma e ndërmarrë në fushën e pensioneve dhe beneficioneve parasheh hartimin e një projektligji unik për pensione, i cili do të përfshinte dhe trajtonte të gjitha të drejtat për pensione, si dhe krijimin e Fondit për Sigurime Sociale i hartuar me një ligj përkatës, në të cilin do të përcaktohej struktura organizative, forma menaxhuese, norma e kontributeve ose pensionale invalidore.

“Sistemi pensional në Kosovë do të ndërtohet në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe do të përbëhet nga katër shtylla në bazë të të cilave konsiderojmë se do të vendoset një sistem i konsoliduar mirë, bazuar në standardet dhe praktikat më të mira evropiane. Kjo është një ndër reformat më të mëdha që ka ndërmarrë ndonjë herë MPMS dhe Qeveria e Kosovës”, tha ministri.

Koncept Dokumenti për reformën në fushën e pensioneve, përpos krijimit të sistemit të mirëfilltë për gjeneratat e reja, parasheh edhe njohjen e stazhit të punës të të punësuarve të cilët me dhunë janë larguar nga puna në periudhën e viteve 1990-1999.

Reçica bëri thirrje për të gjitha palët e interesuara që duke nisur nga sot (12 nëntor) deri më 3 dhjetor për aq sa zgjasin konsultimet publike, të paraqesin sugjerimet dhe komentet e tyre në lidhje me Koncept Dokumentin për pensionet dhe beneficionet.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img