0.5 C
Pristina
Saturday, November 30, 2024

Buy now

spot_img

Deputeti Lushtaku propozon që Ushtria e Kosovës të miratohet me 28 Nëntor në Kuvend

Në një postim në faqen e tij në rrjetin social Facebook, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mergim Lushtaku ka propozuar që ligjet që e mundësojnë ndryshimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës të miratohen në Kuvendin e Kosovës me 28 nëntor 2018.

Ai ka thënë gjithashtu se ky proces të jetë edhe proces i bashkimit të pozitës dhe opozitës për rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Ja postimi i tij i plotë:

USHTRIA E KOSOVËS TË MIRATOHET NË KUVEND ME 28 NËNTOR

 

Tashmë pas miratimit të ligjeve nga Qeveria e Kosovës, që mundësojnë shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, unë si deputet i Kuvendit të Kosovës propozoj që këto ligje të jenë të gatshme për miratim në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës me datë 28 nëntor 2018.

Jam plotësisht i vetëdijshëm që i rëndësishëm është procesi e jo data, por edhe simbolika ka rëndësinë e saj. Veçmas, si respekt dhe nderim për sakrificat nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës.

Dihet që më 28 nëntor 1998, në Llaushë të Skenderajt, doli për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila vazhdoi me misionin e saj deri në çlirimin e Kosovës gjithmonë në bashkëpunim me forcat aleate veri-atlantike.

Pas çlirimit të Kosovës, pa dyshim, ngjarja më e rëndësishme për ne është edhe Dita e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008. Aspak më e parëndësishme nuk është edhe akti i themelimit të Ushtrisë së Kosovës, e cila do të mundësohet me miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës, nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit.

Iu bëj thirrje që propozimin tim ta mbështesin në radhë të parë dy kolegët e mi deputetë, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj, të cilët ishin protagonistët kryesorë, së bashku me heroin e kombit, Mujë Krasniqin, kur doli hapur UÇK-ja. Gjithashtu, shpresoj që këtë propozim ta mbështesin Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Presidenti i vendit Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe të gjithë kolegët tjerë deputetë qofshin ata të pozitës apo të opozitës.

Mendoj se ushtria por edhe kjo datë simbolike të jetë një arsye për të na bashkuar jo vetëm për këtë proces por edhe për rrugën tonë euro-atlantike.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img