6.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Diplomacia e Kosovës në hall me ofensivën e politikës së jashtme serbe

Qeveria e Kosovës ka kohë që ka aktivizuar mekanizmat e saj diplomatikë për t’u përballur me agresivitetin diplomatik të Serbisë, që po manifestohet jo vetëm me përpjekjet për të ndaluar njohjet e reja dhe pengesat për anëtarësimin e Kosovës në organizata e mekanizma ndërkombëtarë, por Beogradi po u kërkon vendeve të caktuara që të tërheqin njohjet e shtetit të Kosovës.

Por, qasja aktuale e Qeverisë po kritikohet nga opozita e cila po kërkon një angazhim gjithëpërfshirës.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, thonë se janë duke përdorur shumë instrumente diplomatike për të kundërshtar lobimin e Serbisë, qoftë kundër njohjeve apo kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, tha për Radion Evropa e Lirë se ministria, por edhe institucionet tjera, janë duke punuar në shumë drejtime që Kosova të mos ketë pengesa të tilla.

“Republika e Kosovë ka marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën deri më tash. Po ashtu, Kosova dhe institucionet e saja zhvillojnë aktivitet të vazhdueshme edhe me shtete të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe në ketë drejtim ekziston një strategji e qartë sesi ecet me tutje”, tha Zyberaj.

Nga ana tjetër, Vjosa Osmani, deputete dhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike nga Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se dialogu me Serbinë, por edhe vetë përfaqësuesit e institucioneve, siç thotë ajo, po e pengojnë inkuadrimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe njohjet e reja.

“Në vend se dialogu të ndihmonte në normalizimin e marrëdhënieve, në vend se përfaqësuesit e Kosovës të ngrisin këtë shqetësim apo të pezullonin dialogun deri në momentin që Serbia vërtet kontribuon në normalizim dhe të sillet në mënyrë konstruktive në këtë proces, përfaqësuesit tanë po e bëjnë të kundërtën dhe këtu në radhë të parë po flas për presidentin, i cili e ka dëmtuar edhe procesin e njohjeve edhe procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, siç është INTERPOL-i “, tha deputetja Osmani.

Ajo thekson se logjika e institucioneve shtetërore deri vonë ka synuar anëtarësimin e Kosovës në institucione të rëndësishme dhe të ketë njohje, përkundër asaj se çfarë thotë Serbia. Por, kohët e fundit, ajo vlerëson se po mbizotëron edhe logjika dhe tendenca, që sipas saj po imponohet nga presidenti i Kosovës, që e tërë rruga e Kosovës drejt fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, po varet nga Serbia.

Osmani, thotë se as Ministria e Punëve të Jashtme dhe as institucionet tjera nuk janë duke i shfrytëzuar të gjitha instrumentet për të lobuar në të mirën e vendit.

“Unë besoj se është dashur të punohet në angazhimin e emisarëve specialë, qofshin ata vendorë apo ndërkombëtarë – njerëz me peshë të cilët do të mund të angazhoheshin në kontinente apo grupe shtetesh, nëpërmjet ndikimit të tyre”, thotë Osmani.

Sipas saj, institucionet mund të angazhojnë ish- presidentë të vendeve të ndryshme që të lobojnë për Kosovën, qoftë për organizata ndërkombëtare, ashtu edhe për njohjen individuale.

Ajo thotë se komisioni parlamentar i ka propozuar ministrit të Punëve të Jashtme që të përfshihet drejtpërdrejtë nëpërmjet diplomacisë parlamentare në fushën e lobimit dhe në ridraftimin apo amendamentimin e strategjisë për njohje.

“Fatkeqësisht, deri më tani nuk është që kemi parë një bashkëpunim nga ana e Ministrisë. Pra, unë mendoj se Ministria duhet të jetë më aktive të punojë edhe me shtetet përtej Evropës dhe jo të fokusohet vetëm në Evropë. Të fokusohet në shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën nëpërmjet lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, sepse ju do ta shihni se ka diskrepancë të madhe ndërmjet numrit të njohjeve dhe numrit të lidhjeve të marrëdhënieve diplomatike. Pra jo domosdoshmërisht një vend që e ka njohur Kosovën patjetër ka edhe marrëdhënie diplomatike me të, pra është dashur të fokusohen te kjo”, tha Osmani.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se vendet perëndimore po i kërkojnë Serbisë të pezullojë veprimet diplomatike, të cilat, sipas tij, me sukses po arrijnë të ndikojnë në shtetet që e kanë njohur Kosovën, që të rishqyrtojë atë pozicion dhe të anulojë këto veprime, sepse kjo dëmton dialogun me Prishtinën.

“Shqiptarët u ankuan te perëndimorët për mua dhe kërkojnë nga Perëndimi për të ndaluar me këto veprime, sepse kjo po irriton shqiptarët dhe dialogun, ndërsa lobimi i tyre për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare janë në rregull”, ka thënë Daçiq për mediat serbe.

Sido që të jetë, më 29 nëntor, në Dubai, çështja e pranimit të Kosovës në INTERPOL, do të jetë pjesë e agjendës së Asamblenë së Përgjithshme të kësaj organizate më të madhe ndërkombëtare policore. Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, por edhe njohës të aspekteve të sigurisë, vlerësojnë se me anëtarësimin eventual në INTERPOL, para Kosovës do të jenë obligimet ndaj kësaj organizate, por edhe përfitimet nga ajo.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img