Rezolutat dhe platformat për fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë, janë propozuar dhe po propozohen nga të gjitha partitë parlamentare, si ato në pushtet ashtu edhe ato në opozitë. Por, deri më tani, asnjë prej propozimeve nuk ka marrë miratimin e Kuvendit, për shkak të mungesës së konsensusit dhe unitetit politik.
Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë, se rezoluta është një formë e thjeshtë e konstatimit, pa ndonjë peshë apo fuqi ligjore, kurse platforma është e ngjashme, por të paktën e qartëson dhe është më gjithëpërfshirëse.
Ai thotë se rezoluta, në një rast do të mund të parandalonte diskutimet për kufirin, kurse platforma do të mund të përfshinte më shumë gjëra.
“Në këtë fazën e fundit të dialogut, Kosova do të duhej ta kishte një lloj konsensusi për të gjitha çështjet, jo vetëm çështjen e kufijve. Por, në fund të fundit, të dyjat, edhe platforma edhe rezoluta, nuk kanë ndonjë peshë shumë të madhe sepse në fund të fundit, çfarëdo lloj marrëveshje që arrihet në dialog me Serbinë, duhet ta kthejë prapë në Kuvend për t’u miratuar. Kështu që, rezolutat edhe këto janë më shumë ndoshta çështje simbolike edhe çështje të konstatimit të pozicioneve politike, sesa diçka me peshë politike detyruese politike për Qeverinë”, tha Maliqi.
Maliqi mendon se platforma në krahasim me rezolutën ka një peshë pak më të madhe si mandat politik, që e cakton një lloj kornize, por siç tha ai, nuk ka detyrimisht ndonjë fuqi shumë të madhe.
“Është pak si puna kur, Kuvendi e miraton programin e Qeverisë, ndërsa Qeveria mund të punojë dhe mund të mos e zbatojë plotësisht programin e vet. Kështu që në fund të fundit duhet t’i jepet një mandat një ekipi dhe më e mira do të ishte që ai ekip të jetë më gjithëpërfshirës, që ai ekip të negociojë”, tha Maliqi.
Lufta me rezoluta të pazbatueshme
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, nuk beson që Kuvendi do të mund të nxjerrë një platforme për dialogun e as një rezolutë që do të mund t’ia ndalonte presidentit përfaqësimin e Kosovës brenda apo jashtë vendit, dhe t’ia ndalonte atij që në dialogun me Serbinë të flasë për kufijtë, në një marrëveshje gjithëpërfishrëse.
“Nuk e shoh të arsyeshëm debatin në Kuvend, kur Kosova është shtet i pavarur e ka Kushtetutën dhe ligjet dhe nuk ka nevojë me rezolutë as të abrogohet (shfuqizohet) ato që janë në Kushtetutë, e as të forcohen ato që janë në Kushtetutë.Gjithashtu nuk mendoj se mund të paragjykojmë askënd, aq më parë dikë që ka funksion të lartë si presidenti apo edhe kryeministri”.
“Rezoluta dhe platforma, as njëra e as tjetra, në shtete normale nuk janë obligative…ato janë parazgjedhore ose rezoluta reagon ndaj një rasti të caktuar. Në shtetet demokratike janë ligjet dhe Kushtetuta e vendit dhe nuk ka paragjykimi ose vija të kuqe para se të nisini bisedimet”, tha Tahiri.
Kuvendi i rezolutave në letër
Në Kuvendin e Kosovës janë propozuar variante të ndryshme të rezolutave për dialogun me Serbinë, për të cilat deputetët e partive në pushtet dhe opozitë, kanë mendime të ndryshme.
Përfaqësuesit e partive politike në pushtet thonë se Kosova duhet të jetë unike gjatë dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të ruhet sovraniteti dhe integriteti.
Ideja për ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën presidenti i Kosovës e ka quajtur “korrigjim të kufirit”, ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq si “përkufizim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, mbetet ende me të panjohura, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet. Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011.
Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.
Aktualisht palët thuhet se janë duke punuar në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por çështja është komplikuar nga momenti kur presidentët e të dyja vendeve kanë folur edhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve.