Për më pak se dy orë deputetët do të mblidhen edhe një herë në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, përkatësisht idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufijve” në mes të dy shteteve.
Në mungesë të kuorumit, rezoluta e propozuar nga LDK-ja nuk arriti të hidhej në votim gjatë seancës së jashtëzakonshme të mbajtur dje.
Rezoluta e cila pritet të votohet sot nga ora 10:00 ka vetëm një pikë që synon të ndalë Thaçin në negocimin e territorit.
Rezoluta e propozuar për miratim:
Kuvendi i Republikës së Kosovës Legjislatura VI Duke marrë parasysh Rezolutat e Kuvendit të Kosovës të datave 10 mars 2011, 28 korrik 2011, 18 tetor 2012, 6 qershor 2013 dhe 26 dhjetor 2016; Duke marrë parasysh që nuk kemi ende një debat dhe vlerësim mbi dialogun e mëparshëm me Serbinë 2011-2017, përfshirë këtu Raportin e Qeverisë së Kosovës të datës 9 korrik 2018 mbi arritjet dhe sfidat e marrëveshjeve të atij dialogu;
Duke marrë parasysh nevojën për debat e konsensus të brendshëm para rifillimit të dialogut me Serbinë; Duke marrë parasysh se nuk kemi formulim zyrtar e institucional të kërkesave të Republikës së Kosovës për Republikën e Serbisë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe është përgjegjëse për humbjet, dëmet dhe vuajtjet që i ka shkaktuar popullit të Kosovës gjatë okupimit dhe luftës; Të vendosur për të ruajtur dhe mbrojtur shtetësinë dhe pavarësinë, sovranitetin dhe kushtetushmërinë, integritetin territorial e institucional të Republikës së Kosovës; Të përkushtuar për integrim dhe anëtarësim të Republikës së Kosovës para se gjithash në BE, NATO dhe OKB; Të angazhuar për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu Republikën e Serbisë;
Në dijeni për shqetësimin e popullsisë për tensionimet e mundshme, përfshirë këtu praninë dhe aktivitetin e shtuar të xhandarmërisë serbe në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit; Duke marrë parasysh që nuk kemi një qëndrim apo vendim të përbashkët për parimet, agjendën dhe formatin e dialogut të ri me Serbinë;
Duke marrë parasysh që Presidenti i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi, pa një mandat paraprak nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, tashmë ka diskutuar me homologun e tij nga Serbia çështje që lidhen me integritetin territorial të Republikës së Kosovës; Kuvendi i Republikës së Kosovës, Në mbështetje të nenin 65.1 te Kushtetutës se Kosovës dhe nenit 44, paragrafi 4, pika (d) të Rregullores të Kuvendit; pas debatit parlamentar të mbajtur në seancën e jashtëzakonshme të datës 31 tetor 2018, me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së, të Grupit Parlamentar të VV-së dhe deputetëve të Alternativës Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda, miraton këtë:
REZOLUTË
1. Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se as Presidenti, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës.