4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Rreth 38% e vajzave dhe grave në Shqipëri, të ekspozuara ndaj ngacmimeve seksuale

Në prag të vitit të parë të universitetit, Ana*, një 18-vjeçare nga Tirana pranoi gjatë muajve të verës një punë me pagesë minimale pranë një firme pastrimi për të blerë rroba të reja dhe për të paguar shkollën. Ajo gjithsesi nuk ia doli të merrte më shumë se rrogën e një muaji, pasi në një nga vizitat mbikëqyrëse, drejtuesi i firmës bëri avancime të papëlqyera ndaj saj, me justifikimin se donte t’i mësonte “si të mbante leckën”- katër javë pasi ajo e kryente atë punë pa asnjë ankesë nga përgjegjësi i turnit.

18-vjeçarja u detyrua të linte punën, me shijen e hidhur të ngacmimit seksual.

“Kur të ngacmojnë seksualisht të neveritet vetja, edhe pse e di mirë se është faji i atij tjetrit dhe jo i yti,” tha ajo për BIRN.

Ana nuk është e vetmja vajzë dhe grua që i duhet të përballet me ngacmimin seksual në jetën e përditshme.

Një studim i publikuar të enjten nga UN Women rezultoi se 38 për qind vajzave dhe grave të anketuara ndihen të rrezikuara dhe të ekspozuara ndaj ngacmimeve seksuale në hapësirat publike. Ngacmimet verbale,fishkëllimat, komentet seksuale dhe shikimet ngultaz janë forma më e zakontë, por nuk mungojnë as ato fizike.

Mungesa e ndriçimit në rrugët dytësore, në hyrjet e shtëpive dhe stacioneve të autobusëve janë shkaqet kryesore që nxisin edhe më shumë ngacmimin e vajzave dhe grave, sipas raportit.

Ola*, një studente 24 vjeçare në Tiranë tregon se shpesh kur i duhet të kthehet pas mesnate në shtëpi, rri me kokën pas, e shqetësuar nga persona që e ndjekin duke pritur rastin më të mirë për ta sulmuar.

“Detyrohem t’i mbaj çelësat në pozicion sulmi dhe në rast se do të më duhet, s’kam ç’të bëj veçse t’i nxjerr sytë,” tha ajo për BIRN, duke shtuar se ka pasur raste që e kanë përndjekur edhe grupe djemsh, të cilët janë larguar kur ajo ka filluar t’i bërtasë pse po i shkojnë nga pas.

“Si mund të shkoj në polici kur nuk e di identitetin e atij që po më ndjek? Ata të ndjekin nga pas, duke të ngacmuar me fjalë dhe kur u teket largohen. Çfarë t’i them policit kur të shkoj në komisariat?” thotë Ola pesimiste.

Studimi që anketoi 750 vajza dhe gra nga qyteti i Tiranës, Durrësit dhe Fierit zbuloi gjithashtu se shumica e pjesëmarrësve (67%) nuk i raportojnë ngacmimet seksuale pranë institucioneve ose sepse janë të turpëruara, ose ngaqë nuk dinë ku të shkojnë.

“Një herë që një i moshuar më futi duart në gjoks në urban dhe iu ktheva me shuplakë, një grua më tha ‘po ti vetë i ke nxjerrë’,” vazhdoi Ola rrëfimin e saj.

Sipas UN Women, shpesh janë gratë dhe vajzat ato që fajësohen dhe stigmatizohen dhe jo ngacmuesit e tyre. Për Anën, e cila tashmë ka filluar studimet në universitetin e Tiranës, ngacmuesit janë të çdo moshe dhe aspak të përmbajtur.

“Shumë herë ndodh të më ndjekin nga mbrapa, të flasin lloj-lloj fjalësh të pështira, mundohen të më prekin dhe kjo nuk ndodh vetëm në periferi, por edhe në qendër të Tiranës,” tregon ajo.

Pre e ngacmimeve seksuale, vajzat tregojnë se shpesh detyrohen të bëhen strikte me veten dhe shoqet kur janë në ambiente publike, nga frika se veprimet e tyre do të perceptohen si “sinjale” nga meshkujt.

“Ka raste kur detyrohem të hipi në autobus për një stacion se në rrugë mund të jenë persona që do të bëjnë gjeste të padëshiruara,” shton Ana, me një ton të keqardhur të zërit.

Studimi zbuloi se për Tiranën, transporti publik i mbipopulluar dhe mungesa e ndriçimit rrugor janë çështjet më problematike në zonën e “Astirit” dhe në qendër.

Në Durrës, në zonën e stadiumit, në qendrën e qytetit dhe në zonën e Shkozetit, mungesa e ndriçimit dhe grupet e burrave janë faktori më i zakonshëm i perceptuar që mund të ndikojë në sigurinë personale.

Për Fierin, mungesa e policëve të dukshëm dhe ndriçimi i dobët, nxisin burrat të dhunojnë verbalisht apo fizikisht vajzat dhe gratë.

Shtimi i patrullimeve të policisë, përmirësimi i infrastrukturës, ndriçimit dhe shërbimet e specializuara për gratë që kanë përjetuar ngacmime dhe dhunë seksuale, si dhe rritja e kapaciteteve të atyre që i ofrojnë këto shërbime, janë ndër rekomandimet shtesë të nxjerra nga studimi i publikuar nga UN Women.

Sipas Olës, vajzat dhe gratë nuk kanë përse të ndrydhen në jetën e tyre të përditshme për shkak se shoqëria ka lejuar disa meshkuj të përndjekin seksualisht vajzat dhe t’ia hedhin pa u lagur.

“Shumë gjëra duhen ndryshuar, duhen ndërgjegjësuar njerëzit se të ngacmosh seksualisht është shkelje e lirisë së të tjerëve dhe policët duhet të trajnohen për barazinë gjinore, që kur të shkoj herën tjetër në komisariat mos të më pyesin ‘po ti çfarë kishte veshur?’, përfundon ajo.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img