Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës ka organizuar për herë të parë në Kosovë Kongresi e I-rë Ndërkombëtar i Fizioterapisë i cili po mbahet në Hotel Emerald më 19-20 Tetor 2018.
Punimet e Kongresit i hapi Dr.sc. Bekim Haxhiu, kryetar i Kongresit, i cili falenderoi kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Lux Devolpment për mbeshtetje në organizimin e këtij eventi shkencor dhe hulumtuesit shkencorë për prezantimet e tyre shkencore.
Dr. Haxhiu në fjalën e tij tha se fizioterapeutët janë profesionistë të pavarur shëndetsorë të cilët udhëheqin shërbimet e fizioterapisë ndaj pacientëve, përfshirë këtu diagnostifikimin, vlerësimin, trajtimin, planifikimin dhe realizimin e trajtimit dhe mbajtjen e dokumentcionit të nevojshëm.
Haxhiu tha se kemi punë për të bërë dhe se në bashkëpunim me Qeverinë dhe mbështetësit e tjerë, ne duhet ta ngremë edhe më lartë fizioterapinë në Kosovë.
“Puna e fizoterapeutëve duhet të vlerësohet në vendin tonë. Ata duhet të jenë krenar me punën e tyre. Ne ishim të parët në rajon që në Fakultetin e Mjekësisë filluam me programin e fizioterapisë. Ne për këtë fakt duhet edhe ti ruajmë fizetrapeutët që janë në Kosovë”, tha kryetari Haxhiu.
Ndërsa kryeministri Haradinaj, tha se, pavarësisht se është rrit buxheti për shëndetësinë, është hartuar projektligji për pagat, i cili ka trajtuar me një respekt të posaçëm mjekët dhe personelin mjekësor, prapëseprapë ka shumë punë për t’u bërë për një vetëdijesim të të gjithëve.
“Në emër të Qeverisë së vendit, duke iu uruar punime të suksesshme këtij kongresi ndërkombëtar, të parin në Prishtinë, ju ftoj të rrugëtojmë bashkë për të mirën e pacientit dhe shëndetësisë në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj.
Kongresin e përshëndeti zëvenësministri i Shëndetësisë, dr. Rrustem Musa i cili lavdëroi përmbajtjen e punimeve shkencore të Kongresit.
Po ashtu kryetarja e Odës se Fizioterapeutëve të Kosovës znj. Dafina Ibrahimi Kaqurr njoftoj të pranishmit se ka marrë konfirmimin nga WCPT se Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës zyrtarisht do të pranohet në Organizatën Botërore të Fizoterapeutëve në muajin Maj 2019 në asamblen e radhës të WCPT.
Në këtë Kongres po prezantojnë mbi 500 fizioterapeutë nga Kosova, rajoni dhe evropa.
Punimet do të zgjasin dy ditë, me prezantime të punimeve shkencore nga fusha e fizioterapisë./PrishtinaPress.eu