Ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka takuar sot kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtirin.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se gjatë këtij bashkëbisedimi kanë folur për hapjen e Urës së Ibrit, duke thënë se u dakorduan të bëhet me një ceremoni të veçantë.
Në këtë ceremoni sipas tij do të përformojë edhe një këngëtare amerikane, emrin e së cilës do e propozojnë që ta mbajë Ura e Ibrit.
“Pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me kryetarin e Mitrovicës, z. Agim Bahtiri, për zhvillimet aktuale në Mitrovicë, ku ai po qeveris në mënyrë të shkëlqyeshme dhe po realizon shumë projekte madhore. Po ashtu biseduam edhe për çështjen e hapjes të Urës së Ibrit, revitalizimi i së cilës ka përfunduar tashmë, dhe u dakorduam që hapja të bëhet me një ceremoni të veçantë, ku do të performoj edhe një këngëtare amerikane, emrin e së cilës do të propozojmë që ta mbaj Ura e Ibrit.
Gjithashtu me Agimin, që siç e dini është edhe zëvendëspresident i AKR-së, biseduam edhe për procesin e brendshëm zgjedhor që do ta mbaj AKR-ja, ku do t’iu hapet rruga inkuadrimit të kuadrove të reja që të angazhohen në partinë e vetme që funksionon mbi bazën e vlerave liberale perëndimore”, ka shkruar Pacolli.