Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Samitit të 17-të të Frankofonisë, në Jerevan të Armenisë.
Në ngjarjen që ka bashkuar mbi 80 shtete dhe qeveri anëtare, të cilat kanë të përbashkët gjuhën frënge dhe vlerat që i ndajnë ato, ndër çështjet më me rëndësi që do të diskutohet për Kosovën është edhe avancimi e statusit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë, nga vëzhgues në anëtar të asociuar.
Në mesin e krerëve të shteteve që po marrin pjesë në këtë samit janë edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, Princi Albert II i Monakos, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe shumë liderë të tjerë të vendeve frankofone.
Para hapjes së samitit, fjalë rasti kanë mbajtur Presidenti i Senatit të Madagaskarit, Rivo Rakotovao, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, Michaëlle Jean.
Organizatat dhe partnerët e përfaqësuar në samit përfshijnë Organizatën e Shteteve Amerikane, UNESCO-n, Komunitetin e Shteteve të Gjuhës Portugeze, Unionin Afrikan, Ligën Arabe, Urdhrin Sovran të Maltës, Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikimeve, Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale, Komisionin e Oqeanit Indian, Këshillin e Evropës, Kombet e Bashkuara, Organizatën Ndërkombëtare për Migrim dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.
Me ftesë të Presidentit të Republikës së Armenisë, Armen Sarkissian, presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në koncertin dhe darkën presidenciale shtetërore.