11.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Vdekjet në vendin e punës, Ministria s’flet, përplasen sindikata dhe inspektorati

U nisën për në punë, por nuk u kthyen më për në shtëpi. Ndërtesat ku po punonin, u bënë shkaktarë që shumë prej kosovarëve mbetën të vdekur. Vetëm këtë vit, 18 persona kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës. E për tu parandaluar këto vdekje duket se nuk po bëhet sa duhet. Për t’i mbikqyrur gjithë këto raste, në tërë vendin janë vetëm 40 inspektorë të punës. Në Sindikatën e Pavarur të Sektorit Privat thonë se fajtor për këto vdekje janë pronarët e kompanive dhe Ministria e Punës, pasi që sipas tyre nuk po bën asgjë tjetër përveç tubimeve me inspektorët pas çdo vdekje, shkruan Gazeta Express.

E shtuna ishte dita e fundit e punës për Milazim Bajraktarin nga Kashica e Istogut. 45 vjeçari dha frymën e fundit në vendin e tij të punës në lagjen Arbëria, në kryeqytet.

Bajraktari rrëshqiti e ra nga kati i shtatë i ndërtesës që po fasadonte, punë kjo të cilën e kryente tash e sa vite.

E sipas Rrahim Podvoricës, prokuror kujdestar deri te vdekja e këtij punëtori erdhi si pasojë e mossigurimit të vendit të punës dhe mospajisjes me mjete adekuate.

Por, ky nuk është rasti i vetëm që një punëtorë humb jetën në vendin e tij të punës. Raste të tilla janë shtuar tej mase së fundi.

Vetëm për këtë tetë muaj, më shumë se 18 persona kanë humbur jetën në vendet ku punonin, shifër kjo shqetësuese. Shumica e viktimave i përkisnin moshave të reja, dhe nuk kishin as edhe një dokument të vetëm që do të dëshmonte se ata punonin diku.

U punësuan pa kontrata pune, dhe vdiqën pa një të tillë.

E ndonëse numri i rasteve të vdekjeve në vendet e tyre të punës vetëm sa po shkon duke u rritur, në Inspektoratin e Punës, përkatësisht në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale duket se nuk po bëjnë sa duhet që t’i parandalojnë këto raste.

Veprimi i vetëm që ata ndërmarrin pas çdo vdekjeje është mbledhja e inspektorëve të punës, të cilët edhe ashtu janë të pakët në numër.

Së paku kështu vlerëson Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi.

Azemi i ka thënë Gazetës Express se numri i inspektorëve të punës është shumë i vogël dhe se duhet të rritet. Sipas tij, 40 inspektorë nuk arrijnë që as për së afërmi të mbikëqyrin këto raste.

Derisa shton se gjendja e punëtorëve në sektorin privat, vetëm sa po shkon duke u përkeqësuar.

“Për numrin e inspektorëve ne kemi bërë gjithmonë kërkesë që numri i inspektorëve të rritet, pasi që një numër prej 40 inspektorësh është tepër i vogël dhe se ata nuk arrijnë që as për afër të mbikëqyrin këtë situatë”, ka thënë Azemi.

E fajin kryesor për këto vdekje, Azemi thotë se e kanë pronarët e kompanive, por edhe një pjesë të madhe të përgjegjësisë e ka edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Deklaron se veprimet e vetme që po ndërmerr kjo ministri në të tilla raste, janë vetëm tubimet me Inspektorët.

“Fajtorë kryesorë janë pronarët e kompanive, por fajtorë tjetër mbetet edhe Ministria e Punës, pasi që ne si sindikatë i kemi ofruar bashkëpunim që të dalim dhe ti dënojmë edhe pronarët e kompanive aty ku vërehet. Ministria e Punës vetëm në rastet kur po ndodhin vdekjet po e bën ndonjë tubim dhe një takim dhe i thirrë inspektorët, thuajse deri tani kanë qenë jashtë planetit të tokës dhe duke mos bërë asgjë”, ka thënë Azemi për Express.

Por, ndryshe shprehen në Inspektoratin e Punës. Ata thonë se për çdo vit po marrin masa shtesë për ngritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Shtojnë se përpos fushatave të ndryshme vetëdijësuese, Inspektorati i Punës zhvillon edhe fushata inspektuese specifikisht në këtë sektor.

“Në vitin 2017 gjatë fushatës inspektuese në sektorin e ndërtimtarisë IP ka realizuar 1147 inspektime nga të cilat 245 punëtorë që kanë punuar në mënyrë informale janë formalizuar.

Për të gjeturat ku janë konstatuar shkelje të dispozitave ligjore janë shqiptuar 344 vërejtje me shkrim dhe 30 gjoba. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe të vitit 2017 në vendin e punës në sektorin e ndërtimtarisë kanë humbur jetën 7 të punësuar”, thuhet në raportin e Inspektoriatit të Punës për këtë vit.

Ndryshe, në Kosovë vetëm në 6 vitet e fundit, 62 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, e qindra të tjerë kanë pësuar lëndime.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img