Në këtë pjesë Serbia ka riaktivizuar qendrën e radarëve ajror në një lartësi prej 2 mijë e 17 metra mbi nivelin e detit, nga ku kontrollon gjithë hapësirën ajrore të Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Radarët ishin objektivi i parë sulmeve të NATO-s, por ata u vunë në funksion po me leje te këtij institucioni.
I pyetur se a lidhjet kjo çështje problematike me radarët e vendosur atje, Haradinaj ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online se nuk dëshiron të spekulojë, derisa ka shprehur besim të plotë në punën e Bulliqit dhe ekipit të tij.
“Mos të spekuloj, Shpejtimi dhe Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit janë më kompetent. Ata kanë bërë përgatitje të mëdha që të jenë mirë të përgatitur që të shënjohet kufiri. I besoj kryesuesit të komisionit, profesorit Bulliqi”, ka deklaruar Haradinaj.
Përkundër deklarimeve të presidentit Hashim Thaçi se do të ketë korrigjim të kufirit me Serbinë, Komisioni Shtetëror për Mbikëqyrjen dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, në kuadër të punës për demarkacionin me Serbinë, ka nisur grumbullimin e materialeve për kufirin aktual që Kosova ka me shtetin serb.
Haradinaj është kundërshtuesi më i madh i idesë së Thaçit. Madje dje para tij në Marinë u shpreh kundër kësaj ide.
Komisioni që drejton Bulliqi është duke grumbulluar materiale të llojeve të ndryshme duke filluar nga ato historike, gjeografike, materiale të ndryshme kadastrale, por edhe njëkohësisht duke kërkuar harta të ndryshme të cilat tregojnë për vijën administrative mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri është shprehur se detyrë e komisionit të udhëhequr nga Bulliqi është edhe korrigjimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, por nuk ka treguar se kur do të nis ky proces.
“Komisioni shtetëror e ka detyrë të përhershme shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit dhe pas përgatitjeve që janë bërë për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi, pra marrëveshja se nuk korrigjohet kufiri, por marrëveshja realisht sepse ajo ka qenë gabim”, ka shtuar Haradinaj.
“I besoj komisionit shtetëror dhe Bulliqit për përgatitjet që po bën dhe bazohem në deklaratat e tij”, është shprehur i bindur kreu i Qeverisë.