Ka më gjatë se një vit që kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte iniciuar miratimin e një kodi, me të cilin do të ndalohej ushtrimi i funksioneve publike në rast se personat e caktuar kanë aktakuzë.
Kryeministri Ramush Haradinaj është arsyetuar para mediave se ministrat nuk i cakton ai, por partitë me të cilat është në koalicion. Ndonëse edhe nga partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëri nga ministrat ka aktakuzë të ngritur.
Edhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka bërë thirrje që zyrtarët e akuzuar për korrupsion të largohen nga institucionet.
Ajo ka kërkuar miratimin e një ligji, me të cilin u ndalohet personave me aktakuzë ushtrimi i funksioneve publike, si dhe një ligj për konfiskimin e pasurisë për personat që vërtetohet nga gjykata se kanë përfituar pasurinë në mënyrë të paligjshme.
Po ashtu, edhe përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht kanë kërkuar që ministrat me aktakuzë të largohen nga postet publike.
Por, pavarësisht kësaj, gjatë kësaj jave Qeveria e Kosovës, ka emëruar ministër të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shalën, i cili është i akuzuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Ministra tjerë të akuzuar në Qeverinë e Kosovës janë: Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës, Besim Beqaj, ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Rrustem Berisha, ministër i Forcës së Sigurisë.
Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka qenë i akuzuar për konflikt interesi, por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kurse rasti është në Gjykatën e Apelit.
Asnjëri prej tyre nuk ka aktakuzë për punën si ministër aktual.
Ehat Mifaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se një shtet që aspiron për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe synon të zbatojë standardet më të mira të Bashkimit Evropian nuk duhet të lejojë që në kuadër të saj të ketë ministra me aktakuza apo ministra që janë duke u hetuar për afera korruptive.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi gjatë monitorimit të rasteve të korrupsionit ka vërejtur raste kur i njëjti ministër në mëngjes ka qenë në sallat e Gjykatës Themelore në Prishtinë i akuzuar për korrupsion, kurse pasdite i njëjti ministër ka nënshkruar kontrata që kanë kaluar vlerën miliona euro”.
“Ky është mesazhi më i keq për bashkësinë ndërkombëtare, për investitorët e huaj, të cilët do të kishin interes për të investuar në Kosovë. Mandej, kjo drejtpërdrejtë ndikon edhe në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thekson Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, ligjet ekzistuese në Kosovë mundësojnë të ushtrohet funksioni i zyrtarit të lartë publik edhe në rastet kur ka procedura të hapura gjyqësore, përderisa vendimi i gjykatës të mos jetë i plotfuqishëm.
Artan Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu” thotë se këta ministra duhet të japin dorëheqje morale. Sipas tij, autoritetet kompetente duhet të krijojnë bazë ligjore që në momentin kur ndaj zyrtarëve të lartë të ngrihen aktakuza për vepra penale për korrupsion të jenë të obliguar të japin dorëheqje.
“Unë konsideroj që ata ministra që kanë aktakuza nuk mund të funksionojnë njësoj për arsye se ata kanë ngarkesë për lëndën që zhvillohet ndaj tyre. Kështu që nuk mund të jenë funksional e që njëkohësisht mund të konsiderohet edhe jo etike, jo morale kur një ministër akuzohet për korrupsion dhe ai vazhdon të udhëheqë një dikaster shumë të rëndësishëm në Kosovë”, vlerëson Demhasaj.
Ndryshe, në kuadër të angazhimeve për fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, në muajin prill, Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt-kodin e ri Penal të Kosovës, i cili pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2019.
Në këtë projekt-kod, janë propozuar amendamente të reja që ua ndalojnë personave të dënuar për korrupsion që të ushtrojnë pozita dhe funksione në administratën publike, në kohëzgjatje deri në 10 vjet nga shpallja e aktgjykimit dënues, me të cilin janë paraparë dënime më të ashpra për keqpërdoruesit e parasë publike.
Përveç ministrave në Qeverinë e Kosovës, probleme me ligjin kanë edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarë komunash të Kosovës.
Fenomeni i ministrave dhe zyrtarëve të lartë me aktakuza, nuk e përcjellë vetëm qeverinë aktuale, ngase një dukuri e tillë ishte evidente edhe në qeveritë e kaluara të Kosovës.