11.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Rritet numri i grave të regjistruara si pronare dhe trashëgimtare

Në Kosovë po rritet gradualisht numri i pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve, çka ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të grave që janë bërë pronare apo trashëgimtare të pronës.

Kjo rritje, është evidente kohët e fundit dhe pason hyrjen në fuqi të një udhëzimi administrativ, i vitit 2016, i cili stimulon regjistrimin e pronave të paluajtshme të përbashkëta në emër të të dy bashkëshortëve në regjistrat publikë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës së Kosovës dhe Agjencisë për Barazi Gjinore, agjenci këto që mbikëqyrin zbatimin e udhëzimit, thuhet se para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi kanë qenë 104 prona të regjistruara në emër të bashkëshortëve. Kurse, pas vitit 2016 deri më tani, numri i pronave në emër të dy bashkëshortëve ka arritur në 2912 raste.

Sipas zyrtarëve të Agjencisë për Barazi Gjinore, kjo është masë e veçantë që ka për qëllim përmirësimin e pozitës së grave përmes rritjes së qasjes së tyre në pronë.

Bazuar në udhëzimi administrativ, pronë e përbashkët e bashkëshortëve nënkupton pasurinë e krijuar gjatë jetës në martesë e cila regjistrohet si pronë e përbashkët, administrohet bashkërisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.

Ardita Beqiri- Kelmendi, është njëra prej grave që ka regjistruar pronën e paluajtshme bashkë me burrin. Ajo këtë e konsideron të drejtë të pamohueshme, pasi sipas saj, tradita nuk guxon të sfidojë të drejtën e gruas për pronë.

“Unë e kam regjistruar banesën edhe në emrin tim. E kemi blerë pas martesës dhe unë kam kontribuar për këtë pasuri. Në Kosovë ende nuk janë të vetëdijesuar se prona është e përbashkët, janë ato idetë, kanuni, mentaliteti. Përndryshe, pasuria duhet të ndahet në mënyrë të barabartë”, thotë Ardita.

Albana Rama, qytetare nga Prishtina, nuk është e martuar. Ajo punon në sektorin publik dhe thotë se traditat i takojnë të kaluarës dhe se gratë, duhet të jenë pronare dhe trashëgimtare si edhe burrat.

“Më vjen shumë mirë që autoritet kompetente kanë marrë një vendim të tillë, që prona të regjistrohet në emër të dy bashkëshortëve. Dhe unë në një të ardhme kur do të martohem do ta bëj të njëjtën gjë”, thekson Rama.

Përfaqësues të Odës së Noterëve të Kosovë konfirmojnë se trendi i regjistrimit të pronave në emër të dy bashkëshortëve është në rritje, por jo në mënyrën e kënaqshme.

Aliriza Beshi, kryetar i Odës së Noterëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se asnjë kontratë te noterët nuk realizohet pa pjesëmarrjen e të dy bashkëshortëve.

“Palët bëjnë një deklaratë të veçantë me të cilën deklarohen se dëshirojnë të jenë të regjistruar bashkëpronarë i pronës e cila blihet, ose deklarohen që pajtohen të regjistrohet vetëm në emër të bashkëshortit. Ndërsa prona edhe më tej do të konsiderohet si pasuri e përbashkët e tyre e fituar në martesë”.

“Pra, pavarësisht se a regjistrohet apo jo, me këtë deklarim special, konfirmohet ajo që e pranon edhe ligji, që kjo pasuri konsiderohet e përbashkët, pavarësisht asaj se a është regjistruar e përbashkët”, tha Beshi.

Ai sqaron se në bazë të udhëzimit edhe në rastet kur prona e paluajtshme është e regjistruar në emër të vetëm njërit bashkëshort, ajo nuk mund të shitet apo të tjetërsohet në çfarëdo forme tjetër pa pëlqimin me shkrim të bashkëshortit tjetër, të vërtetuar nga organi kompetent.

E drejta në pronë është e drejtë themelore që garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjeve ekzistuese në fuqi. Por, në shumë raste, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, tradita sfidon ligjet.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img