Të martën mbrëma Christian Panucci e bëri publike listën e lojtarëve të ftuar në ekipin kombëtar të Shqipërisë për ndeshjet e tetorit ndaj Jordanisë dhe më pas kundër Izraelit në Ligën e Kombeve, duke befasuar me katër lojtarë të ftuar për herë të parë – përfshirë Dermakun.
Dermaku kohë më parë kishte pranuar ta përfaqësojë ekipin kombëtar të Kosovës dhe ishte në stol në barazimin e Kosovës pa gola ndaj Azerbajxhanit në Baku në Ligën e Kombeve në fillim të shtatorit.
Ai u kthye në Prishtinë bashkë me ekipin kombëtar për t’u stërvitur për ndeshjen e radhës që Kosova do ta zhvillonte ndaj Ishujve Faroe në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet – që ishte ndeshja e parë zyrtare garuese në histori të vendit.
Megjithatë, për habinë e shumë personave Dermaku e braktisi kampin stërvitor të Kosovës vetëm një ditë para ndeshjes historike.
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, më pas e konfirmoi në një konferencë për media para ndeshjes në Prishtinë se Dermaku ishte larguar duke u thirrur në arsyeje personale.
Dermaku luan për Scandiano në Itali. Ai më parë e ka përfaqësuar ekipin kombëtar U-21 të Shqipërisë.
Por a ka Dermaku të drejtë ta ndërrojë Kombëtaren?
Përveç se ka qenë i ftuar, Dermaku nuk ka debutuar asnjëherë për Kosovën, nuk e ka luajtur asnjë minutë në ndonjë garë zyrtare ndërkombëtare për Kombëtaren A, që gjë në bazë të rregullave të FIFA-s, atij i lejohet ta ndërrojë Kosovën për Shqipërinë, raporton Gazeta Express.
Rregullorja numër 8 e FIFA-s për ndryshimin e Kombëtares e sqaron një gjë të tillë
Nëse një lojtar mban më shumë se një kombësi, apo nëse një lojtar merr kombësi të re, apo nëse një lojtar ka të drejtë të luajë për disa përfaqësuese për shkak të kombësive që ka, ai mund, vetëm një herë, të kërkojë ta ndryshojë Kombëtaren për të cilën ka të drejtë të luajë ndeshje ndërkombëtare për një ekip kombëtar të një vendi tjetër shtetas i të cilit është, por vetëm nëse i plotëson kushtet në vazhdim:
1) Nëse nuk ka luajtur asnjë ndeshje (qoftë të plotë apo pjesshme) në ndonjë garë zyrtare në nivel ndërkombëtar për Kombëtaren A të vendit të tij, dhe në kohën e paraqitjes së tij të plotë apo pjesshme në një ndeshje ndërkombëtare në një garë zyrtare për ekipin aktual, ai tashme e ka pasur kombësinë e përfaqësueses për të cilën dëshiron të luajë.
2) Atij nuk i lejohet të luajë për Kombëtaren e re në asnjë garë në të cilën tashmë ka luajtur për Kombëtaren e kaluar.
Nëse lojtari që ka të drejtë ta ndërrojë Kombëtaren në përputhje me pikën 1 dhe 2 të rregullores 8, ai duhet ta dorëzojë kërkesën me shkrim në sekretariatin e përgjithshëm të FIFA-s.
Nuk është e qartë nëse Dermaku e ka bërë një kërkesë të tillë dhe ajo i është pranuar apo jo nga FIFA.