Portugalia do ta mbështetë Republikën e Kosovës në procesin e liberalizimit të shpejtë të vizave për qytetarët kosovarë dhe anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të vendit tonë në Interpol.
Kështu tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë një vizite në Portugali, ku është pritur nga homologu i tij, Augusto Santos Silva dhe përfaqësues të lartë nga shteti portugez.
Në këtë takim u bisedua për intensifikimin dhe thellimin e bashkëpunimit reciprok në fushat e interesit të përbashkët.
Shefi i diplomacisë kosovare me këtë rast ka siguruar mbështetjen e shtetit pritës për procesin e liberalizimit të shpejtë të vizave për shtetasit e Kosovës si dhe për anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të vendit tonë në Interpol.
“Kosova dhe Portugalia do të intensifikojnë bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh dhe fakti që ne kemi vendosur që ta hapim ambasadën tonë në Lisbonë brenda disa javëve është dëshmia më e mirë e këtij përkushtimi institucional”, ka thënë Pacolli.
Gjatë vizitës në Lisbonë, ministri Pacolli është pritur në një takim të veçantë edhe nga zëvendëskryetari i Parlamentit Portugez, José Manuel Pureza, ku është diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit mbi diplomacinë parlamentare.
Portugalia e ka njohur Republikën e Kosovës, në vitin e njëjtë të shpalljes së pavarësisë. Është shtet themeltar i NATO-s, ndërsa që nga viti 1986 është anëtare e Bashkimit Evropian.