Një propozim për draft-statutin për Asociacionin tashmëi është dorëzuarBashkimit Evropian nga ekipi menaxhues, i cili përbëhet vetëm nga katër përfaqësues të komunitetit serb të Kosovës.
Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Ramush Hardinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, që Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ndonjë propozim për draft-statutin e Asociacionit.
“Pala serbe e ka dërguar vetëm raportin e punës së komisionit – që ka qenë i caktuar qysh nga qeveria paraprake – se si e shohin ata e fillimit të Asociacionit, por draft final ende nuk ka”, tha Matoshi.
Çka thuhet në procesverbalet e ekipit menaxhues për Asociacionin?
Njohësi serb i zhvillimeve politike, Petar Miletiq, duke folur për Radion Evropa e lirë, shpreh mendimin që reduktimi i çështjes së formimit të Asociacionit në çështjen e statutit të tij, është drejtim i gabuar.
“Kjo nuk është çështje teknike, por politike, sepse Bashkësia e komunave serbe nuk është diçka, e cila do të duhej të merrej vetëm me çështje komunale, por me çështje politike. Prandaj, ekziston frikë e madhe në Prishtinë nga ajo që serbët mund të jenë politikisht të fuqishëm në rast se e formojnë Bashkësinë e komunave serbe. Unë besoj që për këtë shkak po ndodh bllokada. Pra, bëhet fjalë për kompetencat e Bashkësisë dhe për këtë shkak nuk po arrihet deri te formimi i saj dhe jo për shkak se disa juristë nuk kanë qenë të aftë që ta shkruajnë statutin”, theksoi Miletiq.
Ai është shprehur i bindur që autoritetet e Kosovës qëllimisht po e zvarrisinformimin e Asociacionit, me shpresën që nuk do t’u duhet fare ta bëjnë këtë.
Por, Matoshi ka theksuar se vet autoritetet e Beogradit kanë ndikuar në zvarritjen e procesit të formimit të Asociacionit, duke shpresuar që këtë çështje ta zgjidhin në kuadër të marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Për sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duket që pala serbe, në koordinim me politikat e Beogradit zyrtar, po provon prolongimin, që ta ndërlidhë me një marrëveshje finale, çfarëdo që të jetë ajo, duke shpresuar se do të përfitojë më shumë. Mirëpo, qëndrimi i vendosur i kryeministrit të Kosovës, Haradinaj, është që Asociacioni do të bëhet dhe sa i përket anës së Qeverisë, statuti mund të shkruhet qysh sot, por do të jetë ekskluzivisht në suaza të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. në këtë pikë nuk do të ketë asnjë lëvizje milimetrike”, u shpreh Matoshi.
Në anën tjetër, Miletiq shpreh mendimin që megjithatë fajtori kryesor për moshartimin e statutit të Asociacionit dhe mosformimin e tij, është Beogradi zyrtar, gjegjësisht pushteti i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Ata, pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në veri të Kosovës, nuk kanë thënë që pas kësaj nuk mund të ketë asnjë marrëveshja pa formimin e Bashkësisë. Kjo ka qenë zgjidhja e vetme se si të arrihet te formimi i Bashkësisë. Por, tashmë, me siguri se do të presim një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme, në mënyrë që Bashkësia të formohet. Por, as kjo nuk garanton që Bashkësia do të ketë ato kompetenca të cilat serbët i kanë të domosdoshme që të ndjehen më të sigurt dhe më komod në Kosovë”, tha Miletiq.
Prishtina ia bën të qartë Brukselit se Asociacioni s’mund të ketë kompetenca ezekutive
Më herët, njëri nga anëtarët e ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pati theksuar që “baza për formimin e Asociacionit të komunave serbe është ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës dhe miratimi i ligjeve të veçanta në mënyrë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive”.
Zyrtarët në institucionet e Kosovës patën theksuar se Kosova nuk e ka ndërmend ta ndryshojë Kushtetutën për t’i futur kompetencat e Asociacionit brenda saj.