Afati i qershorit po del të ketë qenë shumë i suksesshëm për studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Të gjithë studentët që i janë nënshtruar provimit në lëndën “Projekt Shkencor”, në këtë afat kanë marrë notën dhjetë(10). Disa prej tyre i janë nënshtruar këtij provimi për herë të parë, e ka të atillë që kanë hyrë për të tretën herë. Profesoresha e kësaj lënde, Merita Berisha thotë se arsyeja pse kanë qenë të gjitha notat 10-she është se kjo është lëndë më e lehtë, shkruan Gazeta Express.
Fjolla është studente e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Në afatin e qershorit, ajo i ishte nënshtruar provimit në lëndën “Projekti Shkencor”, që e ligjëron profesoresha e asocuar në mjekësi, Merita Koçinaj- Berisha.
Ajo kishte marrë 10’she në këtë lëndë, por jo e vetme. Të gjithë kolegët e saj që i ishin nënshtruar këtij provimi në afatin e qershorit e kishin kaluar këtë provim, dhe kishin marrë të njëjtën notë sikurse Fjolla.
Sipas listës që posedon Gazeta Express, Berisha kishte vënë në sems gjithsej 23 dhjetëshe. Aq është edhe numri i studentëve që i ishin nënshtruar këtij provimi.
E se këta studentë janë vlerësuar me këtë notë, e pranon edhe vet profesoresha e lëndës.
Koçinaj-Berisha i ka thënë Gazetës Express se në lëndën që ajo e udhëheq gjatë afatit të qershorit, provimit i janë nënshtruar 23 studentë. Deklaron se të gjithë ata e kanë kaluar provimin.
Derisa thotë se ka studentë që i janë nënshtruar këtij provimi edhe për herë të tretë, pasi që në afatet e tjera nuk kanë arritur të marrin pikë mjaftueshëm.
“Po, mundem me iu konfirmu se në afat të qershorit kanë marrë studentët 23 dhjeta. Të gjithë ata që i janë nënshtruar provimit kanë marrë notën 10she. Disa i janë nënshtru provimit për herë të parë, disa për të dytën e të tjerë për të tretën herë”, ka thënë Berisha.
E për arsyen që janë vlerësuar të gjithë studentët me nota kaq të larta, ajo thotë se edhe lënda është pakëz më e lehtë se të tjerat lëndë që i janë nënshtruar.
Por, deklaron se kjo notë nuk u është vënë vetëm për shkak të provimit. Thotë se në vlerësim janë llogaritur edhe aktiviteti gjatë ligjëratave dhe pjesëmarrja.
‘Edhe kjo lëndë është pakëz më e lehtë, pra është një lloj parapërgatitje për diplomë. Por, pikët nuk janë marrë vetëm nga provimi, pasi që janë llogaritë edhe aktiviteti gjatë ligjëratave dhe pjesëmarrja”, ka thënë Berisha.