Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili po qëndron për vizitë në SHBA, ka vizituar sor memorialin përkujtimor të personave që humbën jetën në sulmin terrorist të 11 shtatorit.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të ndërtoj një memorial në nderim të dy shqiptarëve që vdiqën atë ditë, Mon Gjonbalaj dhe Roko Camaj.
Më poshtë postimi i Haradinajt:
Me 11 shtator të vitit 2001 në NeW York u sulmuan vlerat e demokracisë, që u përjetua si sulm mbi tërë botën e lirë.
Sot, vizitova Memorialin përkujtimor të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, që shkaktuan mijëra viktima, ndër to edhe Mon Gjonbalaj dhe Roko Camaj, me origjinë shqiptare.
Ne, Qeveria e Kosovës kemi vendosur ndërtimin e një Memoriali për ta përjetësuar nderimin për jetët e humbura të akteve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, ku për çdo vit do të bëhen homazhe institucionale, në kujtim të viktimave të këtij akti të shëmtuar terrorist.
Populli i Kosovës nuk do të harrojë kurrë ndihmën e madhe që ShBA-ja e ka dhënë në rrugën e tij deri në liri dhe shtetkrijim. Një vend që e ka përjetuar dhimbjen dhe tragjedinë njerëzore, përjetësisht është solidar me kombin dhe shtetin amerikan!