Kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, e ka quajtur absurd thirrjen e protestës nga Vetëvendosje, e cila në programin e saj ka bashkimin kombëtar.
Çelaj ka shtruar pyetjen se si është e mundur të bëhet bashkimi kombëtar pa ndryshim kufijsh.
“Çfarë absurdi! Ata që thonë që janë për bashkim kombëtar dalin kundër ndryshimit të kufijve. Si do të bashkohemi pa ndryshim kufijsh?”, ka shkruar Çelaj, njëherësh zëvendësministër në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, raporton Koha.net.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka sqaruar këto ditë se nuk është kundër bashkimit të Luginës me Kosovën, përkundrazi, por është kundër mënyrës se si Hashim Thaçi po tenton ta bëjë këtë gjë.
Kurti në Interaktiv të së hënës në KTV, tha se Thaçi po e përdorë Luginën e Preshevës si karem për t’i bërë shqiptarët që të bëhen pjesë e aventurave të tij.
“Nuk ka shqiptar që është kundër bashkimit të Luginës me Kosovën. Problemi është se një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës kanë filluar ta mendojnë Kosovën pa veriun, që është gabim, dhe kanë filluar ta mendojnë Luginën të copëtuar”, ka thënë Kurti.
Kurti ka vlerësuar se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndryshojnë kufirin për të afruar bashkimin kombëtar, por këtë assesi nuk duhet ta bëjnë përmes “pazareve me Serbinë”.