-0.1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Këto janë profesionet që kosovarët mund të punësohen në tregun evropian

Një numër i madh i punëkërkuesve në Kosovë po aftësohen për profesione të ndryshme, të cilat ofrohen nga Agjencia e Punësimit. Punëkërkuesit kanë mundësinë të zgjedhin rreth 37 profesione të ndryshme. Pas aftësimit, ata certifikohen dhe konsiderohet se janë të përgatitur për tregun e punës në Kosovë dhe më gjerë.

Profesionet, për të cilat punëkërkuesit aftësohen në tetë qendrat, që janë të shtrira në tërë Kosovën janë: saldues, profesione të ndryshme në sektorin e ndërtimtarisë, kontabilist, instalues të ujit, elektricist, murator, profesione të ndryshme në sektorin e gastronomisë dhe të tjera.

Të gjitha aftësimet profesionale në këto qendra janë pa pagesë.

Jehona Rexha, udhëheqëse e Departamentit për afatësime profesionale në kuadër të Agjencisë së punësimit të Kosovës në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se nga janari deri në muajin gusht janë 3,451 punëkërkues, të cilët po aftësohen për profesione të ndryshme.

“Agjencia e Punësimit është përgjegjës për administrimin e tregut të punës, zbatimin e politikave të punësimit dhe aftësimit, dhe të gjitha profilet për të cilat punëkërkuesit aftësohen janë në harmoni me kërkesat e tregut të punës. Ne, paraprakisht, para se të hapim një profil, bëjmë një hulumtim të tregut të punës se çfarë po kërkohet dhe pastaj me mbështetjen e donatorëve dhe buxhetit tonë, mundohemi që t’iu përshtatemi këtyre kërkesave”, thotë Rexha.

Të përgatitur edhe për tregun evropian

Jehona Rexha thotë se Qendrat e aftësimit profesional sigurojnë nivelin e tretë të kualifikimeve që nënkupton punëtorin gjysmë të kualifikuar.

Sipas saj, punëkërkuesit, të cilët aftësohen në këto qendra, janë të përgatitur për tregun e punës edhe në Kosovë, e edhe për atë evropian.

“Dy vitet e fundit kemi pasur fluks të madh të punëkërkuesve që kanë marrë trajnime, janë certifikuar edhe kanë dalë jashtë vendit, kjo jo që kemi ndonjë marrëveshje shtet me shtet, por janë njohur certifikatat e Agjencisë së Punësimit edhe nga tregu evropian”, thekson Rexha.

Në këto Qendra të aftësimit profesional, tregon Rexha, mund të trajnohen vetëm ata persona, të cilët regjistrohen si të papunë. Profesionet më të kërkuara për aftësim, nënvizon Rexha, janë në sektorin e ndërtimtarisë.

Ndërsa, punëkërkuesit të cilët më së shumti kërkojnë trajnime janë nga mosha 18 deri në 35 vjeç. Megjithatë, ajo thotë se krahasuar me numrin e madh të të papunëve, interesimi i punëkërkuesve për t’u aftësuar, nuk është i kënaqshëm.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e dytë të këtij viti shkalla e papunësisë ka arritur në 29.4 për qind, krahasuar me 26.5 për qind në tremujorin paraprak.

Liberalizimi i vizave dhe ndikimi në tregun e punës

Përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë thonë se institucionet e vendit duhet të adresojnë me urgjencë përgatitjen e kuadrove të fuqisë punëtore. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se bizneset në Kosovë kanë shprehur shqetësimet e tyre për sa i përket kuadrove të punës.

Ai thekson se është ngritur edhe ideja që përfaqësuesit e sektorit privat dhe atyre arsimor, të punojnë në ngushtimin e boshllëkut të kuadrove profesionale brenda vendit.
“Ndërkaq, sa i përket asaj se sa është e përgatitur fuqia punëtore e Kosovës për Bashkimin Evropian, ky është ai rreziku që po potencohet në vendin tonë, ku pas liberalizimit mund të ketë një fluks të personave që tashmë janë të shkathtë në tregun e punës dhe mund të kërkojnë një perspektivë më të mirë në shtetet anëtare të Bashkimit i Evropian. Kjo nuk do të ishte një risi vetëm për Kosovën, është një trend i cili vazhdon te gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thekson Zeka.

Ai shton se në Qendrat e aftësimit profesional punëkërkuesit në disa profesione të caktuara, mund të jenë aftësuar mirë për tregun e punës, pasi që këto qendra janë mbështetur nga donatorë të huaj.

Ndërkohë, Jeton Mehmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosovës i duhet një strategji kombëtare e punësimit, e cila përfshin në mënyrë më të gjerë sektorët që kërkohen në tregun e punës në rajon dhe në Bashkimin Evropian.

“Në aspektin kombëtar, shteti ynë nuk ka ndonjë strategji, në bazë të së cilës dihet se cilat janë kërkesat e tregut të Evropës dhe në atë drejtim t’i shtyjnë të rinjtë tanë të përgatiten. Por, në aspektin individual janë disa sektorë, për të cilët të rinjtë tanë janë të përgatitur të fillojnë së punuari në tregun evropian.

Në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe në sektorin e kujdesit shëndetësor të rinjtë tanë kanë treguar se janë konkurrentë me të rinjtë e Evropës dhe kësisoj, përveç barrierave gjuhësore, nuk kanë pasur probleme që të inkuadrohen në tregun e Evropës”, thekson Mehmeti.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, shton Mehmeti, do të ishte një mundësi e mirë që të rinjtë nga Kosova, ata të cilët janë të përgatitur, të shqyrtojnë mundësinë e punësimit në mënyrë formale në tregun evropian.

“Me liberalizimin e vizave do të nënkuptonte jo automatikisht që ata të punësohen në vendet e Bashkimit Evropian, por kjo në asnjë mënyrë nuk ia ndalon që brenda asaj vizite t’i shikojnë mundësitë e punësimit dhe pastaj duke i plotësuar kërkesat formale të punëdhënësve të Evropës, të vendosin edhe marrëdhënie pune. Në këtë aspekt, ata të rinj që janë të përgatitur dhe janë brenda atyre profesioneve, për të cilat ka nevojë tregu i Evropës, do të mund të vendosin marrëdhënie pune, qoftë për një kohë të caktuar dhe pastaj afatgjatë”, shpjegon Mehmeti.

Ndryshe, Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave. Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimit Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img