Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të afatit për faljen e borxheve, shoqatat dhe bizneset kanë nisur lobimet nëpër institucione, për ta shtyrë edhe për pak kohë afatin.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu pret që qeveria të shtyjë një afat të tillë, por që nëse nuk kryhen obligimet deri në atë kohë, atëherë të merren masat ndaj bizneseve.
Ndërsa, drejtues të Odës Gjermano-Kosovare thonë se afati për shtyrjen e pagesës te jetë vetëm për 6 muajt e ardhshëm, pasi ka sinjale se ritmi i shlyerjes së borxheve do të jetë më i madh.
Edhe pse tash për tash Ministria e Financave vazhdon t’i qëndrojë besnike afatit aktual të ligjit, zyrtarë të saj nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.
Shefi i kësaj ministrie kishte shprehur gatishmërinë të jepte detaje rreth kësaj çështjeje, por se gjërat ndryshuan një ditë më pas.
Që nga fillimi, mënyra e faljes së borxheve ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha te taksapaguesit e rregullt.
Ata që paguan taksa rregullisht nuk u shpërblyen.
Në listat e gjata të borxhlinjve të falur kanë figuruar njerëz që kanë keqpërdorur buxhetin, si dhe kompani që janë të fuqishme në treg.
Pavarësisht këtyre listave që tash janë publike, drejtues të Ministrisë së Financave gjithnjë insistuan se me këtë vendim janë ndihmuar vetëm rastet sociale.
Ligji për faljen e borxheve parashihte që t’ua shlyente automatikisht borxhet atyre që i kishin deri në 100 euro, ndërsa atyre që kanë më shumë borxhe, nëse do ta kryenin pagesën e borxheve nga 1 janari 2009 deri më 31 dhjetor 2014, do t’ua falnin borxhet deri më 31 dhjetor të 2008-ës.
Vlera e borxheve që është paraparë të shlyhen ka qenë 680 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave u takon kompanive publike.
Bazuar në të dhënat, vetëm në ATK janë mbi 32 mijë biznese që përfitojnë nga falja e borxheve, vlera e të cilave kalon miliona euro.