Presidenti Thaçi ka falënderuar kryetarin Tusk për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në vjetet e fundit, duke mbështetur zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor, thuhet në njoftim e zyrës për informim të presidentit.
“Si shteti më pro-evropian, Kosova dhe shtetet tjera të rajonit kanë nevojë për qartësi dhe dinamikë të re të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai, transmeton lajmi.net.
Presidenti Thaçi ka shtuar se qytetarët e Kosovës kanë nevojë të bëhen pjesë e mobilitetit në Evropë, përmes liberalizimit të vizave dhe pjesëmarrjes në tregun evropian.
Në këtë takim është biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, përmbushjen e reformave dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.