Në 20 vjetorin e vrasjes në Shqipëri të Ministrit të parë të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi, eshtrat e tij janë sjellë në Kosovë për tu rivarrosur në tokën për të cilën koloneli me shumë bashkëluftëtarë të tij kishte luftuar kundër armikut serb.
E për herë të parë, në 20 vjetorin e vaisjes së Krasniqit ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka folur për takimet me Krasniqin. Berisha ka thënë se qëllimi i vetëm i kolonel Krasniqit ishte unifikimi i gjitha forcave ushtarake kundër armikut shekullor serb.
“Unë e kam njohur e kam takuar disa herë dhe ruaj kujtimet më të mira për kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e luftës të Qeverise së Kosovës të presidentit Rugova me kryeministër Bujar Bukoshin. Në tre takimet, qëllimi i ardhjes së tij tek unë ishte vetëm një: Të ndihmoja në bashkëpunimin e tij dhe forcave që ai komandonte me forcat e UÇK-së. Ahmet Krasniqin e ekzekutuan në rrugicën në prag të derës së shtëpisë ku banonte, Fatos Klosi, pra shërbimi inteligjent shqiptar. Kjo është e padiskutueshme dhe gjerësisht e njohur. Pra organizator direkt i krimit të shëmtuar politik është Fatos Klosi, i cili gjatë qeverisë time ndiqej për lidhje me dy shërbime të huaja. E bëri këtë me punonjës të tij apo vrasës me pagës këtë duhet që ta sqaroj drejtësia. Pas rikthimit në pushtet jam përpjekur që të zbardhet kjo vrasje, por kontrolli i PS-së mbi prokurorinë e bëri të pamundur këtë”, ka thënë ish kryeministri Berisha për “Bota sot”.