Dilema konsiston midis një marrëveshjeje me pasoja të mundshme në funksionalitet të brendshëm dhe një korrigjimi territorial që stabilizon shtetësinë e Kosovës dhe i ofron mundësinë për anëtarësim në OKB dhe agjendë të ndarë shtetërore evropiane. Kjo është dilema që do ta dominojë skenën politike të Kosovës për periudhën politike që vijon. Para se ta diskualifikojë si një parashikim të pabazuar, Blerim Latifi duhet ta japë një opinion të bazuar për tematikën në fjalë. Përgjigja kërkon rezistencë maksimale ndaj ‘thashethemanjave ditore’ dhe konsideratë të kujdesshme kritike për rrethanshmërinë aktuale politike në Kosovë
Një rrëfim personal para përgjigjes politike për Blerim Latifin
Lexuesit e vëmendshëm kanë pasur rast ta lexojnë shkrimin e Blerimit, “Hyrje në historinë e gënjeshtrave për UÇK-në”.
Vetë Blerim Latifi në shkrim rrëfen pamundësinë, qoftë edhe të paramendimit, se UÇK-ja ka mundur të ishte e shtrirë në terren si forcë e organizuar ushtarake në fillim të 1998.
Pas ngjarjeve traumatike të marsit 1998, edhe personalisht e kisha një ndjenjë të tillë. Menjëherë pas sulmeve në Prekaz, udhëtova në SHBA me një program të Departamentit të Shtetit për t’i vendosur disa kontakte të larta diplomatike dhe për të diskutuar mbi gjendjen dhe zhvillimet në Kosovë.
Në vijim të kësaj vizite, menjëherë pasoi edhe takimi i pesë liderëve ‘demokratikë’ dhe ‘paqësorë’ të Kosovës me Millosheviqin si kusht për të mbajtur një takim me Presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton.
Më 3 qershor 1998, i ftuar në Zërin e Amerikës – programi në gjuhën serbe, për ta komentuar takimin, në formë krejt të hapur thash se pavarësisht përpjekjeve për zgjidhje diplomatike të çështjes, asnjë marrëveshje s’mund të jetë e qëndrueshme pa pjesëmarrjen e UÇK-së. Si kundërpërgjigje e menjëhershme ndaj kësaj deklarate, ish-pronari i Kohës Ditore, mediumit ku isha kryeredaktor atëherë, publikisht tha: ‘Batoni është Baton dhe unë nuk pajtohem me qëndrimin e tij’. I tha edhe disa gjëra tjera që në fjali dukeshin si aksiomatike, sepse kishin peshën e takimit me Clintonin. Ato fjali as që kanë pasur peshë, prandaj nuk po harxhoj asnjë shkronjë për t’i shpjeguar.
Për rrethanat e atëhershme, kjo ishte një situatë e skajshme e margjinalizimi politik dhe ndjenjë e rëndë e izolimit personal dhe profesional. Nuk po të them për ndjenjën që ma krijuan telefonatat pas asaj interviste. Kryesisht kishin një mesazh: “Rri n’Amerikë dhe mos u kthe n’Kosovë”. Vetëm një njeri qëndroi përballë, më përkrahu duke e kritikuar qëndrimin e pronarit të gazetës dhe mori anën time: Dukagjin Gorani.
Mes tjerash, ngjashëm jam akuzuar për parashikime të paqëndrueshme, paaftësi analitike dhe paragjykim të proceseve. Sidoqoftë, çështja e Kosovës nuk u përmbyll në asnjë variant tjetër veçse duke e marrë në konsideratë “Faktorin UÇK”.
Qëndrimi im, Blerim, nuk rezultoi i saktë as thjesht nga informacioni paraprak as nga rrjedha e rastësishme e ngjarjeve. Përkundrazi. Rezultoi nga konsiderata e kujdesshme ndaj trendeve politike dhe vlerësimi kritik i rrethanave të kohës. Njësoj, sot, parashikimi i zhvillimeve që do të ndodhin nuk vjen nga shoqërimi personal me liderët politikë, por nga gjykimi kritik i rrethanave të dhëna politike.
Por, para se të flas për reagimin, mund të konstatoj se Blerim Latifi është aktualisht një prej zërave më të vyer politik dhe kuadrove më të avancuar akademikë të Kosovës. Pavarësisht (mos)pajtimeve me qëndrimet e tij të kohëpaskohshme, qasja e tij shpjeguese rëndom imponon konsideratë të veçantë në hapësirën tashmë skajshmërisht të devalvuar publike dhe fushën e varfër të mendimit politik. Sidoqoftë, duke lënë vlerësimet personale dhe profesionale për Blerimin anash, artikulli i tij i fundit këshillues për mua dhe Presidentin e Kosovës qëndron i mangët në disa çështje.
Ndonëse ofrimi i një përgjigjeje të saktë për çështjen në fjalë është pothuajse i pamundur në një format të kësisojtë komunikimi, shqyrtimi i tri elementeve kryesore në artikullin e Blerimit duket se është i mjaftueshëm.
Së pari, në një sërë artikujsh të tij në Gazetën Express, Blerim Latifi argumenton domosdoshmërinë e ndarjes substanciale midis ‘thashethemnajës ditore’, opinioneve momentale dhe mendimeve të mirë-argumentuara politike. Pavarësisht se Blerimi e shpjegon shpeshherë këtë dallim nëpërmes referencave nga Platoni, Hegeli apo Habermasi (është edhe studiues i mirë dhe prandaj iu referohet), këtë radhë ai ironikisht është vetëngatërruar në një qark vicioz të ‘thash-e-më-the’ bisedave që në fjalinë e parë të artikullit të tij. Duket se gravitacioni i angazhimeve ditore politike tashmë i ka tërhequr së poshtmi edhe nivelet më të larta të abstraksioneve të tij teorike.
Ai e hap shkrimin e tij duke treguar se ditën e diel unë i kam thënë që ‘shkrimet i ke të mira, por nuk i ke të qarta faktet që do të ndodhin’. Po, kjo është plotësisht e vërtetë.
Pra, nga një bisedë spontane telefonike e cila nuk kërkon as elaborime shteruese, as insistim në formulim të rregullt gramatikor, Blerimi zhvillon një qëndrim spekulativ filozofik nga koncepti i “faktit”, botëkuptimet e intelektualëve gnostikë dhe prognozat e Marksit mbi historinë e së ardhmes.
Për ta zhvilluar një diskutim përmbajtësor dhe mjaftueshëm kritik, Blerimi, së paku, do të duhej ta ndërmerrte parasysh intervistën time në Gazetën Mapo, ku qëndrimi im në lidhje me korrigjimin e mundshëm të kufijve shpaloset më qartë dhe më elaboruar.
Blerimi, pra, zëvendëson qëndrimin e argumentuar publik me fjalën e thënë në nivel miqësor. Për më shumë, ai konstaton se siguria ime në parashikimet e ndodhive politike në vijim derivon nga shoqërimi personal me liderët e vendit, që natyrshëm manifestohet edhe në ndjesinë e epërsisë politike ndaj të tjerëve. Kësisoj e redukton fuqinë e gjykimit tim të pavarur politik në sasinë e informacioneve të siguruara në kanale personale. Pra, aftësinë e subjektit për ta përdorur informacionin e dhënë për gjykim kritik politik, ai e zhvleftëson deri në kufizimin e gjykimit në informacione të disponueshme aktualisht.
Rrjedhimisht, nëse ai e kritikon ndjesinë time të epërsisë politike për shkak të marrëdhënieve personale, duhet të jetë edhe mjaftueshëm vetëkritik se si leximi filozofik shndërrohet në arrogancë intelektuale deri shkallën e pamundësisë së trajtimit të qëndrimeve të shpalosura publikisht.
Si studiues i Habermasit, së paku duhet ta ketë parasysh se presupozimi i kapacitetit për gjykim autonom është esencial në fushën publike.
Në vend të kësaj, Blerimi (pa qëllim) projekton biseda informale dhe komunikime personale në nivel të diskutimeve publike. Përndryshe, për të qenë i saktë, vet ai është i vetëdijshëm për mjegullnajën e krijuar për këtë çështje dhe përfshirjen konspirative të shumë personaliteteve në këtë proces.
Rrëfimet publike sot, krejtësisht në formë intrigante, janë se gjeneza e këtij procesi është tek Vuçiqi në Beograd, Rama në Shqipëri, Thaçi a Batoni në Kosovë.
Blerimi vetë shoqërohet me klasën më të informuar të politikanëve në Kosovë dhe mund të dijë mjaftueshëm për ta konstatuar pasaktësinë e kësaj rrëfimi. Sidoqoftë, në shkrimin e tij duket se dështon t’i rezistojë këtij trendi duke më vendosur mua dhe Presidentin e Kosovës me një kllapë veprimi. Edhe pse ai ka konsideratë dhe ka vendosur kritere respekti, sidomos për Presidentin.
E dyta, Blerimi identifikon parashikimet e mia të mundshme politike me insistimin tim në parashikime të sigurta të zhvillimeve të ardhshme në dialogun Kosovë-Serbi, pothuajse sipas vizioneve mbi ardhmërinë njerëzore dhe fundin e botës të shpalosura përgjatë filozofisë perëndimore.
Në vend se ta trajtojë konkretisht problemin e korrigjimit të kufijve, ai tërheq paralele mes qasjes sime, intelektualëve gnostikë dhe Marksit.
Sidoqoftë, menjëherë pas këtij ekskursi filozofik, ai konstaton se unë nuk jam Marksist, por elitist. Mbase pa hyrë në detaje, ndaj vetë Blerimit si njohës i veçantë i studimeve marksiste, mund të përdori një pjesë të konsiderueshme të trashëgimisë së kritikës shoqërore (neo)marksiste për ta zbërthyer qëndrimin e tij. Në vend se të përdorë diskursin e tij filozofik për një intervenim të prekshëm në realitetin social, interpretimi i Blerim Latifit shkëputet krejtësisht nga rrethanat e krijuara.
Teksti i tij është me plot citate nga Michels, Burke e Churchill, që tregon fuqinë e tij të leximit, por jashta kësaj nuk ka ofruar një mendim substancial për një problem tepër konkret: mundësinë, implikimet dhe agjendën për korrigjim të vijave kufitare me Serbinë.
Forma aktuale e kontributit i tij real në problem përfundon në shumë citate që janë të shkëputura nga situata në fjalë. Kësisoj, argumenti i tij politik nuk merr fare në konsideratë transformimet në zhvillim e sipër në relacionet globale sidomos në triadën SBBA, Rusi dhe BE, domosdoshmërinë e përmbylljes të kontesteve bilaterale në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e shndërrimit të qëndrimeve politike të skenën e brendshme politike. Por, në fund të ditës, reduktohet në një opinion këshillues për domosdoshmërinë e rikuperimit të unitetit të brendshëm politik. Përderisa ky si qëndrim është krejtësisht legjitim, si elaborim politikisht është krejt thjeshtëzues.
Së treti, por jo për nga rëndësia, Blerimi me të drejtë konstaton se politika kosovare në përgjithësi karakterizohet nga dukuria e shpenzimit (abuzimit) të besimit të qytetarëve të dhënë për partitë politike në Kosovë. Në këtë linjë, ai argumenton se një pjesë e shqetësimeve të qytetarëve të Kosovës vjen drejtpërdrejt nga frika e ‘lojërave të vjetra’ të Presidentit.
Tutje, në njëfarë forme, ai implikon se kjo situatë mund të përshkallëzohet për shkak se tensioni i brendshëm politik nuk mund të menaxhohet më nga ndërhyrja amerikane në Kosovë. Ai me të drejtë artikulon domosdoshmërinë e konsensusit, por fare lehtë e abstrahon ndërlikueshmërinë e situatës, veçanërisht në raport me rolin e SHBA-ve në terren.
Në fakt, vetë diskutimi për korrigjim territorial është hapur nga fakti se SHBA-të nën udhëheqjen e Trump kanë një vizion krejtësisht tjetër strategjik për rajonin dhe globin në përgjithësi. Mbase nuk është fare e rastësishme se edhe Ambasadori amerikan në Kosovë edhe Këshilltari i Trump për Siguri kanë deklaruar publikisht se nuk mund të përjashtohet korrigjimi i kufijve si solucion afatgjatë midis Kosovës dhe Beogradit. Madje, pavarësisht qëndrimeve të prera kundër të disa akterëve në BE, edhe BE-ja ka lëvizur qëndrim duke mos imponuar një kornizë paraprake negocimi, por duke zgjeruar hapësirën e propozimeve kreative nga palët.
Kësisoj, evoluimi i qëndrimit të Presidentit në raport me idenë e korrigjimit të kufijve nuk duket një konspiracion personal, por një transformim politik në një konfiguracion gjeostrategjik në ndryshim e sipër. Në këtë kuptim, analiza ime mbi ‘faktet që do të ndodhin’ nuk është as një intrigë personale, as një spekulacion intelektual gnostik, por një konsideratë e thjeshtë mbi ndryshimet e shpejta gjeopolitike lidhur me çështjen e Kosovës në përgjithësi.
Pa pretenduar për të propozuar zgjidhje përfundimtare të parakohshme dhe duke qenë krejtësisht i vëmendshëm për sfidat që do ta përcjellin këtë proces, mbetet me rëndësi kardinale formulimi i saktë i dilemës politike të Kosovës në rrethanat aktuale të ndryshimeve në skenën politike botërore: ose thellim i të arriturave të deritanishme të dialogut dhe fuqizim i mëtejmë i Asociacionit të Komunave Serbe me theks të veçantë në Veri të Kosovës duke ruajtur formalisht integritetin e jashtëm territorial të Kosovës, ose korrigjim i kufijve i kushtëzuar prej ndryshimeve kushtetuese që mundëson largimin përfundimtar të rezervateve politike të Ahtisaarit dhe formulës të 2/3 etnike në Kuvend të Kosovës. Me fjalë të tjera, dilema konsiston midis një marrëveshjeje me pasoja të mundshme në funksionalitet të brendshëm dhe një korrigjimi territorial që stabilizon shtetësinë e Kosovës dhe i ofron mundësinë për anëtarësim në OKB dhe agjendë të ndarë shtetërore evropiane.
Sipas meje, kjo është dilema që do ta dominojë skenën politike të Kosovës për periudhën politike që vijon. Para se ta diskualifikojë si një parashikim të pabazuar, Blerim Latifi duhet ta japë një opinion të bazuar për tematikën në fjalë. Përgjigja kërkon rezistencë maksimale ndaj ‘thashethemanjave ditore’ dhe konsideratë të kujdesshme kritike për rrethanshmërinë aktuale politike në Kosovë.