Viti i ri shkollor mund të mos fillojë ashtu siç është paraparë për shkak të paralajmërimeve të SBASHK-ut për greve të përgjithshme në muajin shtatori, shkruan lajmi.net.
Shqetësimet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, kanë të bëjnë me votimin në shqyrtim të dytë të projektligjit për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.
Megjithatë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka deklaruar për lajmi.net se viti i ri shkollor në Kosovë do të fillojë normalisht, mirëpo në një të ardhme të afërt mund të përballemi me grevë në arsim nëse kërkesa e tyre bazike nuk plotësohet.
“Ne kemi paralajmëruar që do të ketë grevë, por nuk e kemi specifikuar se kur do të jetë. Ajo që mund të them tani është se grevë në fillim të shtatorit nuk do të ketë. Viti i ri shkollor sa i përket SBASHK-ut do të fillojë normalisht”, ka thënë ai.
E megjithë arritjen e një marrëveshjeje me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukën, në greva të përgjithshme mund t’i shohim edhe minatorët e Trepçës.
Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqiri Sadiku ka thënë sot për lajmi.net se ministria e Zhvillimit Ekonomik po e vonon formimin e grupeve punuese për minatorët e Trepçës dhe se kjo mund të dërgojë në veprime sindikale.
“ E kemi arritur një marrëveshje me Qeverinë dhe me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, ku janë afruar problemet dhe kërkseat që kanë qenë. Kërkesa e parë ka qenë rreth statutit të Trepçës dhe mospajtimeve rreth tij, ndërkaq që kërkesa e dytë ka qenë problemet sociale të punëtoreve. Marrëveshja ka qenë që deri më 24 të formohen grupet punuese, mirëpo punët nga ministria janë prolonguar dhe ende nuk i kemi grupet punuese të kompletuara”, ka thënë Sadiku.
Tutje, Sadiku ka shtuar se arsyetimi i ministrit ka qenë që deri pas vendimit të Qeverisë nuk mund të fillohet me formimin e këtyre grupeve, ani pse Qeveria në lidhje me këtë çështje ka marrë dy vendime.
“Zbatimi i marrëveshjes ende nuk ka filluar, definitivisht është prolonguar. Kemi kominikuar me ministrin për arsyet e zhagitjes së kësaj pune ndërkaq që arsyetimi i tij ka qenë që duhet të vijë një vendim nga Qeveria, ndërsa Qeveria i ka marrë dy vendime në fund të muajit korrik, dhe na është kërkuar që ne t’i caktojmë përfaqësuesit tonë në këto grupe punuese. Ne i kemi caktu njerëzit, mirëpo s’kemi marrë asnjë konfirmim në lidhje me këtë”, ka thënë Sadiku.
“Mund të përballemi me veprime sindikale, sepse në marrëveshjen që është arritur në pikën 6 shkruan se greva është pezulluar për tre muaj, dhe kjo është marrëveshja ndërkaq pas tre muajve mund të ketë veprime të tilla”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se minatorët e Trepçës kishin protestuar para Qeverisë së Kosovës në lidhje me çështjen e njëjtë. Ata kishin kërkuar që të definohet statuti i Trepçës si dhe të zgjidhen problemet sociale të gjigantit metalurgjik.