Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është përgjigjur themelueses së Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq e cila kërkoi nga ai që t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës që këtë vit të vizitojnë kishën.
Sipas tij e ardhmja euro-atlantike e Kosovës është e sigurt vetëm duke ndërtuar shtet demokratik dhe duke ruajtur karakterin multi-etnik të shoqërisë.
Thaçi ka siguruar Natasha Kandiq që si Presidenti i Kosovës do të angazhohet për liri dhe siguri të lëvizjes për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe komunitetin serb kudo në Kosovë.
Postimi i plotë i Thaçit:
Zonjën e nderuar, humanisten e njohur serbe Natasha Kandiq, e siguroj që si President i Kosovës, ashtu sikur edhe në kapacitetet tjera institucionale që kam mbajtur më parë, do të angazhohem për liri dhe siguri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb, kudo në Kosovë.
Edhe në ditët më të vështira, qytetarët tanë kanë ruajtur objektet fetare, monumentet historike dhe trashëgiminë ortodokse të Kosovës.
Ne vazhdojmë ta njohim kontributin e zonjës Kandiq dhe i shprehim mirënjohje të thellë për aktivitetin e saj para, gjatë dhe pas luftës.
Sot, është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës.
Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, pa dallim feje, kulture ose përkatësie etnike. Jemi shteti më demokratik në rajon dhe më gjerë, ku komunitetet etnike mbrohen me kushtetutë.
E ardhmja euro-atlantike e Kosovës është e sigurt vetëm duke ndërtuar shtet demokratik dhe duke ruajtur karakterin multi-etnik të shoqërisë tonë. HTH