Dy linja të udhëtimit për në Prishtinë, njëra nga Majaci e tjetra nga Bajgora bën që të fillojnë problemet mes dy kompanive të transportit të udhëtarëve, Meti Tours e Toni Tours. Por në mënyrë që kjo të zgjidhet në mënyrë ligjore, Ministria e Infrastrukturës, ka zgjidhur zakonet e vjetra shqiptare. Por, duke mos ditur të ndajë pleqni, kjo atyre iu ka hapur probleme tjera. Kjo pasi përveç që është bërë në mënyrë të pazakontë, ka ngritur dyshime në Polici.
Tribuna Channel ka siguruar një dokument të një procesverbali të datë 01. 09 .2011, në të cilin MI bën marrëveshje në bazë të zakoneve të vjetra, me pleq.
Por, edhe pse marrëveshja është arritur në bazë të mirëkuptimit dhe besës, kjo duket se nuk është mbajtur. Ahmet Kaçiu, pronar i “Meti Tours”, ka thënë për Tribuna Channel se kompania e tij ka falimentuar dhe se këto linja të transportit tashmë i menaxhon kompania me të cilën më herët kishin lidhur marrëveshje, Toni Tours.
E Kaqiu, në një letër dërguar ish ministrit Fehmi Mujota në vitin 2012, e të siguruar nga TCH, shpjegonte se megjithëse ka pasur licencë, ajo iu është ndërprerë në mënyrë të paligjshme. E, sipas tij, kjo është bërë nga ish sekretari permanent, Skender Gashi. Madje akuzonte drejtorin e rrugëve, Qamil Feken dhe udhëheqësin e sektorit të transportit ndërurban, Kamer Shabanajn, për korrupsion, që me premtimin se do të rifilloi punën në transport të udhëtarëve i kanë marrë 7 mijë euro para.
Por, këto akuza për korrupsion, të bëra nga vet ai, Kaçiu po i mohon. Në një bisedë telefonike për TCH, ai tha është shtyrë nga një person tjetër që të bëj akuza të rreme, me qëllim që t`i hakmerret personave në fjalë. Ai edhe pat fjalë të mira për të apostrofuarit.
Ndërsa Njësiti për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion është duke hetuar rastin në fjalë me dyshimin për kryerjen e disa veprave penale nga persona.
Sipas dyshimit të policisë, dy vendime të datave 12 dhe 26 korrik 2011 në Ministrinë e Infrastrukturës, që kanë të bëjnë me aplikimin, licencimin dhe procedurat përfundimtare për Operatorët transportues të udhëtarëve me autobus “Meti Tours” dhe “Toni Tours”, janë bërë në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Tribuna Channel ka siguruar një kopje të dokumentit ku njësiti i krimeve ekonomike dhe korrupsion konfirmon fillimin e hetimeve për rastin në fjalë.
Me datë 16 nëntor 2015, Policia e Kosovës iu është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës me një kërkesë që nga Ministria të sigurohen kopje dhe informata shtesë në lidhje me këtë rast.
E ish sekretari, Skender Gashi, i kësaj ministrie, duket se nuk mund ta mbajë mend pleqninë e ndarë nga MI. I kontaktuar nga Tribuna Channel, ai nëpërmjet telefonit tha se nuk i kujtohet ky rast.
Gashi po ashtu tha se me këtë çështje nuk duhet të merren gazetarët, por prokuroria dhe gjyqësia.