Që nga shtatori 2018, Prishtinës do i shtohet edhe një shkollë e re fillore dhe e mesme e ulët.
Kështu ka njoftuar kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti duke treguar se kjo shkollë do të hapet në lagjen “Arbëria”.
“Bashkë me Nënkryetarin Selim Pacolli, Drejtorin e Arsimit Jonuz Salihaj dhe disa asambleiste vizituam përfundimin e punimeve në objektin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët në lagjen “Arbëria”. Shkolla që ne propozojme ta quajme “Mehmet Gjevori” në përbërje ka gjithsej 12 dhoma mësimi , prej të cilave 2 dhoma mësimi për nivelin e arsimit parafillor, 10 dhoma mësimi për nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe 4 dhoma për kabinete, kuzhinën dhe hapësirat të tjera përcjellëse sipas kërkesave dhe standardeve bashkëkohore. Drejtoria e Arsimit pas analizës dhe vlerësimit të përgjithshëm mbi demografinë e popullsisë në lagjet apo zonimin ku shtrihen shkollat fillore, si: SHFMU “Meto Bajraktari”, SHFMU “Qamil Batalli” dhe SHFMU “Faik Konica”, konstatoi se numri i nxënësve në këto shkolla është i madh nëpër paralele prandaj rreth 17 paralele nga viti i ri shkollor 2018/19, do të transferohen në shkollën e re në lagjen “Arbëria”. Për të siguruar një transferim të lehtë i gjithë ky proces do të realizohet në koordinim të plotë me drejtuesit e shkollave dhe organet e brendshme të shkollës. Poashtu, gjate javës do të bëhet edhe prezentimi i draft projekteve konceptuale i pesë objekteve shkollore që do të ndërtohen me programin PFI në bashkëpunim me Bankën Botërore”, ka njoftuar Ahmeti.