Ishte partia e Shpend Ahmetit e cila ditë më parë kërkoi nga kryeparlamentari Veseli të thërrsite mbledhjen e kryesisë. Por ky i fundit në një përgjigje për shefin e deputetëve të PSD-së, Dardan Sedjiu konfirmoi që Kuvendi mund të mblidhet vetëm me seancë të jashtëzakonshme.
E për një gjë të tillë Partia Social Demokrate nuk po mund të llogaris në nënshkrimet e deputetëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Sekretari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se seancat e jashtëzakonshme nuk ndryshojnë asgjë.
Ai ka thënë se të gjitha qëndrimet LDK-ja i ka bërë të ditura në mbledhjen e kryesisë që e patën të martën.
“Ne si LDK, qëndrimin tonë e kemi të formësuar dhe publik, këtë e thamë edhe me deklaratën e fundit pas mbledhjes së Kryesisë. Edhe në debatin disaorësh për dialogun në seancën e fundit të Kuvendit ishim të qartë.Mendojmë që me seancë të jashtëzakonshme e me qendrime të vjetra, nuk ndryshojmë asgjë”, ka thënë deputeti Beqiri.
Ai ka bërë të ditur se që nga muaji shtator, do të synojnë rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.
Beqiri thotë se LDK-ja nuk e përkrahë dialogun e ngutshëm.
“Ne prej shtatorit do te intensifikojmë veprimet tona,por edhe mënyrat tjera legjitime e institucionale,e që besojmë do të kenë sukses dhe vendi të shkoj në zgjedhje të reja. Jemi për dialog, por jo të ngutshëm dhe të dëmshme.Te ngutshme dhe te dobishme janë vetëm zgjedhjet e reja”, deklaroi Ismet Beqiri.
Kundër iniciativës së PSD-së për seancë të jashtëzakonshme është shprehur edhe Vetëvendosja.
Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu me një postim në rrjetin social facebook ka thënë se së pari duhet të bëhet një vlerësim i dialogut deri më tani.
“Ne nuk jemi dakord me qëllimin e kësaj seance të jashtëzakonshme. Kjo është pajisje me mandat për Thaçin që të vijojë në rrugën e njëjtë. Ndaj, së pari, nevojitet të bëhet vlerësimi i marrëveshjeve prej 2011-2017, njëra më e dëmshme se tjetra, po ashtu të diskutohet raporti 38 faqesh qeveritar i “arritjeve dhe sfidave të marrëveshjeve nga dialogu 2011-2017”, ka shkruar Haxhiu.
Ndryshe zëdhënësi i PSD-së, Shkodran Hoti këto deklarimet të Haxhiut ditë më parë i ka cilësuar si papjekuri politike.
Kuvendi i Kosovës është në pushim deri në muajin shtator.