-2.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Të mjerët nuk meritojnë udhëheqës më të mirë se Gjergj Dedaj

VEHBI KAJTAZI

Dedaj, nuk është gjë tjetër pos një i mjerë që përfaqëson një shoqëri të tillë. Është një politikan që vjedhë e mashtron këdo që i del përpara. Veprimet e tij nuk janë të dënueshme e gjykueshme sepse jeton në kohën kur shtetin e udhëheq një president frikacak dhe i shantazhuar siç është Hashim Thaçi. Ai nuk është më trim sa në kohën kur kishte armë në dorë dhe fuqi për ta futur në bunar, Gjergjin.

Sot mjerimi nuk është më i zbehtë ndër shqiptarë sesa në përshkrimin e Migjenit në Poemën e Mjerimit.

Është më i shfaqur, më i dukshëm. Atë sot nuk duhet sy i veçantë për ta parë, e talent për ta përshkruar. Mjerimi na shfaqet kudo e kurdo, vetëm se nuk dimë ta dallojmë më.

Mbase për shkak se jemi të gjithë të mjerë, të mbytur në mjerim, si të kamurit, ashtu edhe të varfrit.

Kolera e tuberkulozi nuk vret më shqiptarë. Njerëzit vuajnë më pak prej zgjebe. Edhe sëmundjet ngjitëse nuk janë më aq ngjitëse.

Kosovarët sot i vret diçka tjetër – o vret mosdija, mospuna, pakujdesia. Ata vdesin nëpër duar mjekësh lakmitarë e ziliqarë.

Në kohën kur një listë e ngushtë sëmundjesh janë të pashërueshme, ne shqiptarëve mund të na vrasë  edhe gripi. Jo pse nuk ka ilaçe për to, por se barnat janë kthyer në një industri mafioze e dominuar nga tregtarë mafiozë, e mjekët biznesmenë.

Sot kosovarët nuk mund të diagnostifikohen saktë se nga çfarë sëmundje vuajnë. Sepse mjekët nuk të shohin si pacientë që kërkon shërim, por si bankomant prej të cilit sa më shumë që ia zgjatë vuajtjet, aq më shumë tërheq para prej tij.

Natyrisht se brenda këtij sistemi ka mjek heronj e të pastër, por janë aq të rrallë sa pakkush ka fatin të bije në duart e tyre.

Natyrisht, se jo të gjithë mjekët i shohin pacientët si mut që duhet t’i merren lekët, siç thoshte një mjek i përgjuar vite më parë në aferën “stenta”.

“Le, mutit t’ia marrim lekët”, i shkruante mjeku, Daut Gorani, kolegut të tij, Astrit Mekliqi.

Këqyrja e njeriut nga mjeku si jashtëqitje njeriu kallëzon për mjerimin që ka mbërthyer shëndetësinë. Një jashtëqitje nuk meriton të trajtohet ndryshe mos si jashtëqitje. Të shtrydhët e të ndrydhet derisa nuk jep gjë, e të hidhet në kanalizim, për të dalë sërish në sipërfaqe sa herë që bijën shira të rrëmbyeshëm, për ta rishfaqur mjerimin tonë.

Një krijues u largua para dy ditësh nga ky mjerim. Mes amaneteve që kishte lënë regjisori, Bekim Lumi, ishte lutja që të përmirësohet shëndetësia. Gjendjen e rënduar të shëndetësisë e përjetoi për shumë muaj, i ndjeri Lumi.

Dhe nuk iku pa na rikujtuar mjerimin.

Gati 90 vjet më parë, Faik Konica ishte ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfaqësonte një shtet thuajse pa themele siç ishte Shqipëria e asaj kohe.

Konica, mbante saktësisht të njëjtin titull që pritet ta mbajë Gjergj Dedaj.

Po iu referuam titullit, Konica nuk dallonte nga Dedaj. Që të dy ambasadorë.

Mjerimi i shqiptarëve në kohën e Konicës ishte më i madh vetëm sa i përket mirëqenies. Sado që ishte i armiqësuar me Mbretin Zog, Konica u zgjodh për ambasador për shkak të profilit të tij të lartë intelektual.

E, Dedaj, nuk është gjë tjetër pos një i mjerë që përfaqëson një shoqëri të tillë. Është një politikan që vjedhë e mashtron këdo që i del përpara. Veprimet e tij nuk janë të dënueshme e gjykueshme sepse jeton në kohën kur shtetin e udhëheq një president frikacak dhe i shantazhuar siç është Hashim Thaçi. Ai nuk është më trim sa në kohën kur kishte armë në dorë dhe fuqi për ta futur në bunar, Gjergjin.

“Vuajtjet” pas arrestimit nga UÇK-ja, torturat fizike e psikike të shkaktuara nga Thaçi, Dedaj po i shfrytëzon si avantazh. Po e shantazhon Thaçin, që nëse nuk i jep atë që kërkon, do të “zbulojë” “krimet e UÇK-së dhe presidentit të kryera gjatë luftës”.

Kësisoj, Kosova me “të drejtë” zgjedhë Dedajn për ambasador në Maqedoni. Një ambasador të mjerë që përfaqëson një popull të mjerë. Po mos të ishte i tillë, nuk do ta lejonte Dedajt të vjedhë e mashtrojë sa herë që i teket.

Diplomat e dikurshme të gjimnazistëve pas Luftës së Dytë Botërore, vlenin më shumë se doktoraturat e Ibrahim Gashit, e Ethehm Çekut. Mesimdhënësit e asaj kohe kishin mision për ta shkolluar dhe edukuar një popull të dominuar nga analfabetë.

Sot, profesorë të universiteteve publike e private, kanë mision lëshimin e sa më shumë diplomave. Pajisen me certifikata akademike, studentë të paaftë për punë.

Sot mund të marrësh diplomë universiteti pa e kryer shkollën e mesme. Mund të mbrosh diplomën universitare pa i kryer provimet, siç ndodhi në Fakultetin e Edukimit ditë më parë, vetëm pse kandidatja ishte vajza e një dëshmori.

Kriteret profesionale të profesoreshës, Valbona Berisha nuk vlejnë në raste të tilla. Me falsifikime e anashkalime, anashkalohet ajo për t’ia mundësuar diplomimin një studenteje. Si kundërvlerë për këtë, profesoresha që guxoi të ngre zërin, kërcënohet, linçohet, bile edhe mund të përjashtohet nga universiteti.

Në moçalin tonë të mjerimit nuk është më e rëndësishme nëse di të shkruash apo jo.

E rëndësishme është të kesh një telefon të mençur dhe disa llogari në rrjetet sociale për ta shfaqur mjerimin dhe paditurinë. Për të treguar se “sa MIR’ po kalojna”. “Se SHUM’ e MIR’ je”.

Ne sot jemi në atë nivel që e duan dhe dëshirojnë elitat politike të korruptuara. Sepse vetëm shoqëritë e tilla mund të pajtohen që të përfaqësohen nga llumi i shoqërisë. /Insajderi.com

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img